Lajmet e fundit
Kryeparlamentari Daci dha një intervistë për agjencinë beogradase “ Beta”
, 27.12.2005
Zhvillimet aktuale politike e shoqërore dhe sfidat drejt ardhmërisë , procesi negociator për statusin e Kosovës, çështja e decentralizimit, temat për të cilat mund të bisedohet me Serbinë, ishin segmente kryesore të intervistës së sotme të kryetarit të Kuvendit të Kosovës, akademik Nexhat Daci dhënë agjencisë beogradase “Beta”.
Realitet i ri në Kosovë
Duke dhënë një vlerësim lidhur me proceset që kishin karakterizuar Kosovën gjatë vitit 2005, kryeparlamentari Daci theksoi se viti që po e lëmë pas, ishte një vit i progresit shumë të madh, jo vetëm në Kosovë, por edhe në Rajon. Ishte vit i fillimit të bisedave për statusin e Kosovës, vit i fillimit të rrugës së njohjes së pavarësisë së Kosovës. Kosova po shkon drejt një stabiliteti të mirëfilltë politik, me një ardhmëri shumë të qartë për të gjithë qytetarët e saj. Kosova në këtë periudhë, me një realitet të ri të krijuar me një punë këmbëngulëse nga institucionet e saj në bashkëveprim me bashkësinë ndërkombëtare, bëri një depërtim shumë të madh në botë.
Temat për të cilat mund të bisedohet me Serbinë
Në pyetjen se a do të bisedohet për çështjen e pavarësisë së Kosovës me Serbinë, kryeparlamentari Daci tha se pavarësia e Kosovës është çështje e panegociueshme. Për pavarësi nuk do të bisedohet me askënd, ajo del nga vullneti politik i popullit të Kosovës. Për këtë nuk kemi presion nga asnjë njeri serioz nga bashkësia ndërkombëtare. Ndërkaq, ka shumë tema te tjera për të cilat mund të bisedohet me Serbinë. Serbia është fqinji më i madh i Kosovës, ajo ka një minoritet substancial që jeton në Kosovë, që ka pronat dhe trashëgiminë kulturore. Opinionit serb duhet t’ i bëhet me dije se në Kosovë ushtria dhe policia serbë ka djegur 125 mijë shtëpi , janë plaçkitur banesat e shtëpitë e shqiptarëve, janë plaçkitur bankat. Pra, mund të bisedohet për reparacionet e luftës dhe borxhet.
Të arritura të mëdha
Decentralizimi, theksoi në vijim Daci, para së gjithash është përgjegjësi dhe obligim i institucioneve të Kosovës për t’ iu ofruar shërbime cilësore të gjithë qytetarëve të saj, për t’ ua begatuar jetën kudo që ata jetojnë. Realizimi i të drejtave politike dhe ekonomike për të gjithë qytetarët, pra edhe për minoritetin serb, do të jetë edhe një faktor që do të mundësojë kthimin e serbëve në shtëpitë e tyre, por edhe të 500 mijë shqiptarëve që jetojnë e punojnë në shtete të ndryshme të botës.
Lidhur me pyetjen se cilat janë rezultatet më të mëdha të Parlamentit të Kosovës në punën e deritashme, kryetari i Kuvendit theksoi se ruajtja e qetësisë , evitimi i konfrontimeve dhe krijimi i unitetit veprues për Kosovën sovrane janë ndër të arriturat më të mëdha.