Lajmet e fundit
Kryeparlamentari Daci priti ministrin e Energjetikës dhe Minierave , Ethem Çeku
, 28.12.2005
Kosova gjatë ditëve të festës së Vitit të Ri duhet të ketë dritë , madje do të bëhen përpjekje që edhe në vijim vendi të ketë furnizim të rregullt me energji elektrike. Mirëpo, për të arritur këtë, qytetarët duhet të kryejnë obligimet ndaj KEK-ut, sa i përket pagesës për energjinë e shpenzuar. Energjinë elektrike duhet ta paguajnë të gjithë qytetarët, ndërsa sa i përket rasteve sociale, kjo duhet të jetë çështje e programeve sociale të Qeverisë së Kosovës dhe Parlamentit. Këto ishin disa nga konstatimet më thelbësore të takimit të sotëm të kryetarit të Kuvendit të Kosovës, akademik Nexhat Daci, me ministrin e Energjetikës dhe Minierave , Ethem Çeku.
Bashkëbiseduesit ishin unik në konstatimin se është arritur një shkallë e lakmueshme e bashkëpunimit në raportin Parlamenti – Ministria Energjetikës dhe Minierave. Duke folur rreth sukseseve që arrihen nga ana e kësaj ministrie në lëmenjtë e energjetikës dhe minierave, kryeparlamentari Daci theksoi se megjithë buxhetin e vogël, kjo ministri po arrinin rezultate të mira, që është një dëshmi për një punë të përgjegjshme , kundruall vështirësive me të cilat ballafaqohet ajo. Ndër sukseset më të mëdha bashkëbiseduesit zunë në gojë posaçërisht aktivizimin e “Trepçës”, që ishte një rebus i pazgjidhshëm në 6 vjetët e pas luftës, si dhe ristrukturimin e KEK-ut. Kur është fjala për ristrukturimin e KEK-ut, kryeparlamentari tha se për fat të keq, pa fajin e punëtorëve, po digjen padrejtësisht shuma të mëdha të Buxhetit të Kosovës, mirëpo kjo është jashtë ndikimit të strukturave vendore. Duke zgjidhur statusin e Kosovës, që është pavarësia, do të jemi në një pozitë tjetër, atëherë njeriu ynë do të tregojë aftësinë e vërtetë për mbajtjen e shtëpisë dhe shtetit të vet, u shpreh ai .
Ministri Ethem Çeku vuri në spikamë angazhimet për të arritur një progres gjatë vitit 2006, në furnizimin me energji elektrike dhe në inkasimin e mjeteve, që janë problemet më aktuale , si dhe në sendërtimin e synimeve që kanë të bëjnë me ndërtimin e termocentraleve të reja dhe përfshirjen e sektorit privat në këto zhvillime, gradualisht dhe në mënyrë të matur.