Lajmet e fundit

Komisioni Legjislativ miratoi Raportin vjetor të punës

, 29.12.2005




Komisioni Parlamentar për Çështje Gjyqësore, Legjislacion dhe Kornizë Kushtetuese, i drejtuar nga Hydajet Hyseni, kryetar, ka pasur sot takim me përfaqësues të Zyrës Ligjore të kryeministrit dhe të Odës së avokatëve (mungonin përfaqësuesit e zyrës Ligjore të UNMIK-ut), për të biseduar lidhur me Ligjin për avokaturën, i miratuar më 8.9.2004, por i pashpallur nga PSSP-ja. Me vërejtjen e Zyrës së UNMIK-ut se për shkak të kompetencës së rezervuar, ligji i miratuar duhet të shpallet si rregullore, nuk ishin pajtuar Oda e avokatëve dhe palë të tjera të interesuara për këtë ligj.

Po sot Komisioni Legjislativ ka shqyrtuar Raportin vjetor të punës së komisionit dhe e atë e ka miratuar në parim. Rezulton se komisioni nga dita e konstituivit (19 janar 2005) e deri më sot i ka mbajtur 30 mbledhje pune, ka shqyrtuar bazën juridike të të gjitha ligjeve që janë propozuar për miratim, ndërkohë që Kuvendit i ka përgatitur 62 rekomandime, kurse Kryesisë i ka drejtuar 17 propozime dhe kërkesa të ndryshme.

Komisioni Parlamentar për Çështje Gjyqësore, Legjislacion dhe Kornizë Kushtetuese ka mbajtur dy dëgjime publike (për Projektligjin për liritë fetare dhe atë për Institutin Gjyqësor të Kosovës), kurse bashkë me nënkomisionet e tij, ka shqyrtuar 46 peticione dhe kërkesa publike. Në raport përmenden edhe dy iniciativa ligjore të komisionit dhe 16 takime pune me përfaqësues të mekanizmave vendorë dhe ndërkombëtarë që kanë të bëjnë me legjislacionin.

Komisioni po sot ka shqyrtuar edhe bazën juridike për shtatë projektligje në procedurë: Projektligjit për ushqimin, të atij për Veprimtarinë botuese dhe librin, të atij për Institucionet e kulturës, të Projektligjit për arsimin dhe aftësimin privat, të atij për Operën, baletin dhe filarmoninë e Kosovës, të atij për Te drejtat dhe liritë e organizimit sindikal dhe të Projektligjit për inspektoratin e produkteve te ndërtimi.