Lajmet e fundit
Kryeparlamentari Daci priti europarlamentarin Kacin
, 06.01.2006
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Nexhat Daci, ka pritur sot deputetin e Parlamentit Evropian, nga Sllovenia, Jelko Kacin, me të cilin ka biseduar për zhvillimet në Kosovë, me theks të veçantë për përmbushjen e standardeve dhe procesin negociator për statusin e vendit.
Kryeparlamentari Daci e ka informuar eurodeputetin Kacin për përgatitjet intensive që po bën delegacioni i Kosovës, me grupet e tij punuese, lidhur me procesin e përcaktimit të statusit dhe në këtë vështrim ka theksuar përparësitë e Kosovës që janë: qëndrimi unik i institucioneve dhe i subjekteve politike nga pozita dhe opozita për pavarësinë e vendit dhe legjislacioni i ri i Kosovës, kompatibil me atë të vendeve të Unionit Evropian. Si vështirësi të procesit, ndërkaq, Daci ka përmendur moslejimin nga Beogradi të serbëve të Kosovës për të participuar në proces.
Kreu i legjislativit të vendit e ka garantuar eurodeputetin Kacin se institucionet e Kosovës sot dhe pas pavarësisë së vendit, garantojnë të drejta të barabarta për të gjitha minoritetet.
Deputeti i Parlamentit Evropian, Jelko Kacin, i cili është mandatar për të përgatitur raportin për Serbi dhe Mal të Zi, e ka vlerësuar tepër të rëndësishme për të ardhmërinë e vendit që shoqëria e Kosovës të jetë multietnike, kultikulturore dhe multireligjioze. Ai, ndërkaq, ka thënë që nga ky vit minoritetet do të kenë trajtime të njëjta, që nënkupton edhe serbët që jetojnë në Kosovës, por edhe shqiptarët që jetojnë në Serbi dhe Mal të Zi.
Bashkëbiseduesit kanë shfaqur kënaqësi për rrugën që ka marrë procesi për paqe dhe stabilitet në Ballkan dhe për qëndrimin e Unionit Evropian që të gjitha vendet që pretendojnë anëtarësim në UE, duhet t’i plotësojnë edhe standardet për të drejtat e minoriteteve.