Lajmet e fundit
Kryeparlamentari Daci priti një delegacion nga Shoqata e të verbërve
, 09.01.2006
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Nexhat Daci, ka pritur sot një delegacion nga Shoqata e të verbërve dhe personave me pamje të dobësuar të Kosovës, i prirë nga Bujar Kadriu, kryetar i shoqatës dhe ka biseduar me të për vështirësitë me të cilat ballafaqohen të verbrit e Kosovës dhe për nevojat e tyre.
Udhëheqësit e Shoqatës së të verbërve të Kosovës kanë kërkuar që në mënyrë ligjore dhe institucionale të mbështeten nevojat e rreth 3000 të verbërve të Kosovës për asistencë, punësim dhe arsimim. Ata kanë njoftuar kryeparlamentarin Daci për dy projektligje të përgatitura nga shoqata që mbrojnë të verbrit: Projektligjin për statusin e verbësisë dhe Projektligjin për punësimin e të verbërve dhe kanë kërkuar që të vihen në procedurë parlamentare për miratim.
Profesor Daci është zotuar se do të kujdeset që këto projektligje të sponsorizuara qoftë nga Qeveria, qoftë nga komisionet parlamentare të vihen për miratim në Kuvend. Ai është shprehur edhe në favor të punësimit dhe të arsimimit superior të të verbërve, duke parë mundësinë e sigurimit të një kontingjenti të caktuar studentësh nga kjo kategori shoqërore.