Lajmet e fundit

Kryeparlamentari Daci priti ish-shefin e Zyrës Amerikane në Kosovë, John Menzis

, 11.01.2006




Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Nexhat Daci, ka pritur sot ish-shefin e Zyrës Amerikane në Kosovë, John Menzis dhe ka biseduar me te për rrjedhat në Kosovë dhe për përgatitjet e Grupit negociator për përcaktimin e statusit të vendit.

Miqtë amerikanë përkrahësit më të mëdhenj të Kosovës

Duke e vlerësuar punën e zotit Menzis në Kosovë, Daci është shprehur se institucionet tona edhe më tej do ta shfrytëzojnë ndihmën e miqve në SHBA, të institucioneve dhe të asociacioneve të ndryshme amerikane, të cilët për pesëmbëdhjetë vjet kanë qenë ambasadorët, lobistët dhe përkrahësit më të mëdhenj të Kosovës. Ai në këtë vështrim ka dalluar Zyrën e senatorit Dol, Këshillin Kombëtar Shqiptaro-amerikan dhe Ligën Qytetare Shqiptaro-Amerikane, kurse e ka garantuar mysafirin se bashkëpunimi me ta do të vazhdojë edhe pas pavarësisë së vendit.

Për anëtarësim në strukturat euro-atlantike

Krahas pavarësisë së vendit institucionet e Kosovës do të kërkojnë edhe anëtarësim në strukturat euro-atlantike, sepse vetëm në këtë mënyrë mund të sigurohen ardhmëria e qytetarëve të Kosovës dhe paqja e stabiliteti në rajon, ka theksuar Daci.

Qëndrimin unik për ardhmërinë e vendit

Ish-shefi i Zyrës Amerikane në Kosovë, John Menzis duke folur për rëndësinë e negociatave për statusin, e ka vlerësuar tepër të nevojshme paraqitjen e njëzëshme të delelegacionit të Kosovës dhe qëndrimin unik për ardhmërinë e vendit. Ai ka sugjeruar miqësisht që Grupi negociator i Kosovës të bashkëpunojë sinqerisht me ndërmjetësit ndërkombëtarë.

Kryeparlamentari Daci e ka siguruar zotin Menzis se për çështjet e rëndësishme për vendin pozita ka koordinim të plotë me opozitën

Kryeparlamentari Daci priti ish-shefin e Zyrës Amerikane në Kosovë,  John Menzis