Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Kryesisë së Kuvendit

, 12.01.2006




Kryesia e Kuvendit të Kosovës, në mbledhjen e saj të drejtuar nga Nexhat Daci, kryetar i Kuvendit, ka përcaktuar sot rendin e ditës për dy seanca plenare.

Shqyrtohen dhjetë projekligje

Seanca e parë do të mbahet më 19 janar dhe në të do të shqyrtohen për herë të dytë gjashtë projektligje: Projektligji për inspektoratin shëndetësor, ai për Edukimin parashkollor, ai për Minierat dhe mineralet, Projektligji për metrologjinë, ai për Radio Televizionin e Kosovës dhe ai për Provimin e jurisprudencës. Po në këtë seancë do të shqyrtohet Raporti i Komisionit për Çështje Gjyqësore, Legjislacion dhe Kornizë Kushtetuese lidhur me vërejtjet e UNMIK-ut në Ligjin për familjen, ndërkaq për herë të parë do të shqyrtohen: Projektligji për ndërmjetësim, ai për Konfliktet administrative, ai Kundër shpifjes dhe fyerjes, si dhe Projektligji për Ditën e Dëshmorit.

Skemë e re të seancave plenare

Kryeparlamentari Daci ka paralajmëruar një skemë të re të seancave plenare dhe të mbledhjeve të Kryesisë, e cila do të shqyrtohet se shpejti. Në këtë frymë Kryesia ka vendosur që një ditë e seancës së 19 janarit t‘i kushtohet kërkesës së Grupit parlamentar të Partisë Reformiste ORA, lidhur me ndërtimin e Qendrës Administrative-protokollare në Gërmi dhe menaxhimin e buxhetit. Në interpelancë parlamentare, ndërkaq do të paraqitet ministrja Melihate Tërmkolli, sipas kërkesës së Grupit parlamentar të PDK-së.

Emërime të anëtarëve të bordeve

Është kërkuar edhe një herë që grupet parlamentare të emërojnë kandidatët për anëtarë në Këshillin antikorrupsion, kurse për seancën e parë të këtij viti Kryesia ka vendosur të nxjerr për shqyrtim propozimet e Qeverisë për emërimin e anëtarëve ne Bordin e pavarur të ankesave, në Bordin e Agjencisë të prokurimit publik dhe në Bordin e Rregullatorit të energjisë, si dhe rekomandimin e Komisionit për Buxhet dhe Financa lidhur me Buxhetin e ART –së për vitin 2006.

Deputetët do të vizitojnë të burgosurit në Dubravë

Kryesia ka miratuar propozim-vendimin e Komisionit për Buxhet dhe Financa për caktimin e pagave mujore të anëtarëve të Bordit të Agjencisë për Telekomunikacion dhe anëtarëve të Komisionit Rregullativ të prokurimit publik, si dhe kërkesën e deputetit Nait Hasani për ngarkimin e një komisioni të Kuvendit për vizitë të burgosurve ne Dubravë. Është vendosur që kjo çështje t’i ngarkohet Komisionit Legjislativ, me sugjerimin që grupi e deputetëve që do të vizitojë të burgosurit të jetë shumëpartiak dhe shumetnik.

Nga mbledhja e Kryesisë së Kuvendit