Lajmet e fundit

Kryeparlamentari Daci priti shefin e Zyrës Gjermane në Kosovë, z. Eugen Wollfarth

, 16.01.2006




Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Nexhat Daci, ka pritur sot shefin e Zyrës Gjermane në Kosovë, Eugen Wollfarth dhe ka biseduar me te për zhvillimet në Kosovë, për takimin e Grupit të Kontaktit në Vjenë, për punën e Grupit negociator të Kosovës për përcaktimin dhe për fatin e refugjatëve kosovarë në Gjermani.

Për takimin e Grupit të Kontaktit në Vjenë

Shefi i Zyrës Gjermane në Kosovë, z. Eugen Wollfarth, e ka njoftuar profesor Dacin për takimin e Grupit të Kontaktit që mbahet në Vjenë, lidhur me bisedimet për statusin e Kosovës, i cili mbahet në nivel të ekspertëve dhe të drejtorët politikë për Ballkanin, si dhe për takimin e ardhshëm në nivel të ministrave të jashtëm të vendeve të këtij grupi.

Përgatitjet e Grupit negociator - serioze dhe të thukëta

Duke folur për vizionin për ardhmërinë e vendit, përgatitjet e Grupit negociator të Kosovës për përcaktimin s statusit, Daci i ka vlerësuar serioze dhe të thukëta, kurse e ka lavdëruar unitetin e arritur të institucioneve të Kosovës me Grupin e Kontaktit dhe me vendet e këtij grupi. Ai i ka shpjeguar zotit Wollfarth, pozicionin e Kosovës në prag të bisedimeve dhe e ka sinjalizuar atë për mundësitë e destabilizimit të Kosovës dhe të rajonit, nëse për Kosovën kërkohen zgjidhje që nuk përkojnë me vullnetin popullit të saj.

Pavarësi pa ndajshtesa

Daci ka kërkuar mirëkuptim nga Berlini zyrtar për synimet e popullit të Kosovës. Kosova kërkon pavarësi, pra pavarësi pa ndajshtesa si “pavarësi e kushtëzuar”, “pavarësi e plotë, ose e paplotë ”etj., është shprehur Daci.

Kosova do t’i përmbush obligimet

Ai e ka garantuar diplomatin gjerman se Kosova do t’i përmbush në përpikëri obligimet e saj ndërkombëtare, sidomos ka theksuar realizimin e të drejtave të minoriteteve, për sa i përket pronës, arsimit, kulturës, fesë, decentralizimit, sigurisë etj. Për gjithë këto fusha do të miratohen ligje të veçanta, ka thënë Daci.

Për refugjatët kosovarë në Gjermani

Në takim është prekur edhe çështja e refugjatëve kosovarë në Gjermani dhe mundësitë e kthimit të tyre. Pavarësia e vendit dhe qëndrueshmëria ekonomike janë parakushte për kthimin e refugjatëve nga Gjermania dhe vendet tjera perëndimore, i ka thënë Daci diplomatit gjerman, duke e falënderuar shtetin gjerman për gjithë ç’ka bërë për Kosovën dhe për refugjatë tanë në atë vend.

Kryeparlamentari Daci priti shefin e Zyrës Gjermane në Kosovë, z. Eugen Wollfarth