Lajmet e fundit

Kryeparlamentari Daci vizitoi Universitetin e Prishtinës

, 16.01.2006




Kryetari i Kuvendit të Kosovës, akademik Nexhat Daci, vizitoi sot Rektoratin e Universitetit të Prishtinës. Me këtë rast, ai u prit në një takim, me Këshillin Drejtues të Rektoratit dhe dekanët e fakulteteve. Pasi e falënderoi kryeparlamentarin Daci për këtë vizitë dhe për kontributin që jep në proceset e gjithmbarshme në Universitetin e Prishtinës, prof.dr. Jahi Hoxha, në emër të Këshillit Drejtues, foli për zhvillimet aktuale në UP. Në fillim ai theksoi se falë punës së përkushtuar të mësimdhënësve të Universitetit dhe të studentëve, që nga korriku e deri tash, kaluam një fazë pa tronditje të mëdha. Janë krijuar raporte e marrëdhënie normale në Universitet, është kthyer besimi në relacione ndërkombëtare , pa përtërihen e arrihen marrëveshje të reja bashkëpunimi me universitete evropiane e amerikane, është arritur një shkallë e depolitizimit të Universitetit. Tani jemi në fazën e zhvillimit të aktiviteteve përfundimtare për zgjedhjen e Rektorit të Universitetit. Të gjitha këto kanë ndikim në krijimin e një ambienti të qetë për dije në Universitet. Në frymë të kësaj që u tha ishin edhe diskutimet tjera, të cilat pajtoheshin, posaçërisht në një vijë, se rimëkëmbja e Universitetit duhet të bëhet mbi baza të shëndosha, se ndikimet politike nga jashtë janë të dëmshme për Universitetin.

Ndërkaq, gjendja paksa më e mirë materiale e mësimdhënësve është bërë motiv për avancimin e punës në të gjitha institucionet e Universitetit.

Kryeparlamentari Daci duke përgëzuar Këshillin Drejtues dhe gjithë subjektet tjera për këto rezultate të pamohueshme, theksoi se kjo është shenjë përkushtimi për thellimin e rrjedhave të mbara në Universitet. Kjo rrugë duhet të vazhdohet, gjithnjë duke këmbëngulur për të punuar në mbështetje të ligjit. Ndërkaq, duhet të dihet qartas se në shtegun arsimor e shkencor Universiteti i Prishtinës nuk do të ketë pengesa politike dhe ligjvënëse. Universiteti i Prishtinës gjithnjë do të gëzojë përkrahje të fuqishme nga Parlamenti në proceset zhvillimore e reformuese . Jemi optimistë se po krijohet një klimë që Universiteti i Prishtinës vërtetë do të bëhet lokomotivë e zhvillimeve arsimore, shkencore e shoqërore.

Duke folur për proceset aktuale politike në Kosovë, kryeparlamentari Daci tha se pavarësia e Kosovës nuk duron kurrfarë parashtese, ose prapashtese, sepse pavarësia e kushtëzuar nuk është zgjidhje për Kosovën, e vetmja zgjidhje është pavarësia e plotë. Kosova nuk ka hisedar nga jashtë. Ajo do të jetë shtet i pavarur , i cili garanton të gjitha të drejtat për të gjithë qytetarët e vet.

Kryeparlamentari Daci vizitoi Universitetin e Prishtinës