Lajmet e fundit
Dëgjim publik për Projektligjin për veprimtarinё botuese dhe librin
, 17.01.2006
Projektligji për veprimtarinё botuese dhe librin, i cili tashmë është miratuar në parim nga Kuvendi i Kosovës, synon të krijojë një kornizë të nevojshme ligjore për rregullimin e veprimtarisë botuese, të konsolidojë e avancojë pozitën e librit dhe të botuesit në shoqërinë kosovare. Mbi këtë bazë, libri, ky forum i ballafaqimit të ideve, vërtet do të jetë prioritet i veçantë i shoqërisë. Këto ishin disa nga konstatimet e dëgjimit të sotëm publik, të organizuar nga Komisioni për Arsim, Shkencё, Teknologji, Kulturё, Rini e Sport i Kuvendit të Kosovës, që u mbajt nën drejtimin e Enver Hoxhajt, kryetar i Komisionit, lidhur me Projektligjin për veprimtarinё botuese dhe librin.
Gjatë debatit mjaft të frytshëm, që tregonte edhe një interesim të veçantë për temën që shqyrtohej , vëmendja e diskutuesve u përqendrua sidomos në çështjen e tatimit dhe taksave të tjera që i bëhen barrë librit, derisa ai të shohë dritën e botimit. U theksua se taksat në vlerën e përgjithshme të çmimit të librit marrin pjesë me një shkallë shumë të lartë, përkatësisht rreth 40 për qind. Si pasojë e kësaj, libri në shitje del me çmim shumë të lartë, si askund në Evropë, duke marrë parasysh edhe standardin e vendit. Në këtë frymë doli propozimi që për librin, në tërë hallkat e botimit, të mos paguhet TVSH-ja. Për t’ u liruar nga taksat e ndryshme të doganimit, kur është çështja e depërtimit të librit nga një shtet në shtetin tjetër, duhet të përfillet edhe kriteri i hapësirës kulturore, si ekziston për shembull hapësira kulturore gjermane etj.
Ndër vërejtjet që u dhanë, ishin edhe propozimi që Këshilli i Librit, të quhet Këshilli Kombëtar i Librit, i cili duhet të ketë edhe rol vendimmarrës. Pastaj, që në Projektligj të precizohet më mirë çështja e formimit të botuesve publikë, si dhe obligimi i institucioneve për të marrë secilin botim të ri, që do të kontribuonte në krijimin e kulturës së përhapjes së librit.