Lajmet e fundit

Kryeparlamentari Nexhat Daci priti z. Shtefan Lehne

, 18.01.2006




Kryetari i Kuvendit të Kosovës, akademik Nexhat Daci, priti sot përfaqësuesin e Bashkimit Evropian në bisedimet për statusin e Kosovës, z. Shtefan Lehne, me të cilin bisedoi për gjendjen aktuale në Kosovë dhe në rajon dhe për takimin e ardhshëm ndërkombëtar të Vjenës. Me theksimin e asaj se takimi i Vjenës nuk do të jetë takim teknik, por i një rëndësie të veçantë, Lehne u interesua se sa është i përgatitur delegacioni i Kosovës për këto takime dhe për gjithë procesin e negociatave.

Kryeparlamentari i Kosovës Nexhat Daci tha se të gjitha grupet punuese janë duke punuar shumë mirë, se kanë angazhuar ekspertë vendor dhe ndërkombëtarë dhe se janë duke u përgatitur të gjitha materialet e nevojshme. Dokumenti i reformës së pushtetit lokal në Kosovë është përfunduar, ndërsa tani është duke u bërë teksti final në Grupin për Statusin e Kosovës. Në takimin e Vjenës, si dhe në çdo takim tjetër Kosova do të marrë pjesë në bashkëpunim të ngushtë me Grupin e Kontaktit dhe Marti Ahtisarin për të kontribuar që çështja e Kosovës të përfundojë me pavarësimin e plotë të saj. Kjo do të thotë stabilitet, paqe dhe siguri në rajon, njëherësh do të thotë përfundim me sukses të misionit ndërkombëtar në Kosovë, ndërsa në anën tjetër Kosova si shtet i pavarur e sovran do t’ i marrë të gjitha obligimet ndërkombëtare duke përfshirë edhe mbikëqyrjen ndërkombëtare në respektimin e ligjit dhe të drejtave dhe lirive qytetare, si çdo vend tjetër normal. Nexhat Daci potencoi se nuk sheh ndonjë rezultat pozitiv nga insistimet për bisedime të drejtpërdrejta me Serbinë, sepse përvoja, sidomos me kthimin e trupave të më të dashurve tanë, që janë bartur në Serbi, tash e gjashtë vjet nuk po jep rezultate, ndaj nuk mund të presim që Serbia të ketë mirëkuptim për pavarësinë e Kosovës.

Kryeparlamentari Nexhat Daci priti z. Shtefan Lehne