Lajmet e fundit
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Nexhat Daci, takoi Arnaud Danjean, këshilltar special në MPJ të Francës
, 18.01.2006
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, akademik Nexhat Daci, zhvilloi sot një bisedë me Arnaud Danjean, këshilltar special i Ministrit të Punëve të Jashtme të Francës të shoqëruar nga Thiery Reynard, shef i Zyrës Franceze në Kosovë, i cili e njoftoi kryeparlamentarin për takimin e paradokohshëm të Grupit të Kontaktit në Vjenë. Arnaud Danjean veçanërisht u interesua për qasjen e institucioneve të Kosovës ndaj procesit të ndërmjetësimit ndërkombëtar të Marti Ahtisarit dhe ndaj çështjes së zgjidhjes së statusit të Kosovës. Danjean çmoi unitetin e arritur të palës kosovare dhe vlerësoi shumë të rëndësishëm bashkëpunimin, punën e angazhimin me shefin e opozitës Hashim Thaçin, i cili pati një rol historik në të kaluarën e veçanërisht në Konferencën e Rambujesë, nikoqir i të cilës ishte Franca.
Nexhat Daci theksoi se interesi i Kosovës kërkon unitet të plotë dhe ky është arritur, Grupi i Unitetit të Kosovës ka mandat të qartë dhe së bashku me grupet punuese është duke e kryer shumë mirë, në interes të Kosovës dhe të gjithë qytetarëve të saj. Daci tha se Kosova nuk ka kohë për të humbur dhe se për këtë është e sinqertë në bashkëpunimin ndërkombëtar dhe do të ketë kooperim të plotë me gjithë bashkësinë ndërkombëtare veçanërisht me ekipin e Marti Ahtisarit dhe me Grupin e Kontaktit. Kosova do të marrë pjesë në të gjitha takimet ndërkombëtare, do të përfaqësohet me përfaqësuesit e Grupit Negociator dhe në nivel të institucioneve dhe ekspertëve. Kosovarët dinë të ofrojnë argumentet dhe t’ i mbrojnë ato për pavarësinë e plotë të Kosovës, pa parashtesa e prapashtesa.
Kryeparlamentari Nexhat Daci tha se dëshiron që presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova, ashtu si ishte udhëheqës i popullit të Kosovës tash e gjashtëmbëdhjetë vjet, të jetë edhe nënshkrues i aktit formal të pavarësisë së Kosovës, sepse kjo e ka simbolikën e vet, si faktor i unitetit dhe për vetë historinë e Kosovës dhe për vendin e saj në strukturat euroatlantike, duke shprehur besimin se ky proces do të përfundojë sipas vullnetit të popullit me Kosovën shtet të pavarur e sovran deri kah mesi i këtij viti.