Lajmet e fundit

Kryeparlamentari priti shefin e ri të Zyrës Britanike në Kosovë, David Blunt

, 19.01.2006




Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Nexhat Daci priti shefin e ri të Zyrës Britanike në Kosovë, z. David Blunt dhe ka biseduar me të për zhvillimet në Kosovë dhe bisedimet për statusin e vendit.

Kryeparlamentari Daci, e ka njoftuar diplomatin britanik për përgatitjet e Kosovës për bisedimet për statusin dhe është shprehur se nuk sheh asnjë problem që Kosova t’i marrë mi vete obligimet e saja ndërkombëtare. Bisedimet duhet të përfundojnë sa më shpejtë dhe me sukses, është shprehur kreu i legjislativit të vendit, i cili ka thënë se institucionet e Kosovës duhet të punojnë shumë në plotësimin e standardeve, sidomos sa i përket të drejtave të pakicave.

Ai është zotuar, ndërkaq, se këto institucione do të absorbojnë përvojën e Britanisë së Madhe, dhe ka shtuar se ai personalisht nuk do të ngurrojë që për ditë ta konsultojë Zyrën Britanike.

Shefi i porsaemëruar i Zyrës Britanike në Kosovë, David Blunt, i cili pas vetes ka karrierë të shkëlqyeshme diplomatike dhe flet edhe shqip, në takimin e tij të parë me kryeparlamentarin Daci është shprehur se bisedimet për statusin e Kosovës kanë seriozitet dhe peshë ndërkombëtare. Ai, ndërkaq, ka thënë se nuk prejudikon rezultatin e bisedimeve, por se gjithsesi ato do të jenë shumë të rëndësishme për qytetarët e Kosovës dhe për rajonin dhe se do të prodhojnë efekte që duhet të implemetohen pas përfundimit të bisedimeve.

Bashkëbiseduesit janë pajtuar se fillimi i mbarë takimit të Vjenës dhe bashkëpunimi i përhershëm me bashkësinë ndërkombëtare, sidomos me Grupin e Kontaktit dhe kryenegociatorin Ahtisari, janë parakushte për suksesin e bisedimeve për statusin e Kosovës.

Kryeparlamentari priti shefin e ri të Zyrës Britanike në Kosovë, David Blunt