Lajmet e fundit
Deklaratë e Kuvendit të Kosovës për vdekjen e Presidentit të Kosovës Dr. Ibrahim Rugova
, 21.01.2006
Sot më 21 janar të vitit 2006 ndërrojë jetë Presidenti i Kosovës Dr. Ibrahim Rugova, ёshtë ky lajmi më i pikëllueshëm për mbarë popullin e Kosovës për të gjithë qytetarët e saj.
Presidenti i Kosovës Dr. Ibrahim Rugova është personaliteti më i merituar i historisë shtet formuese të Kosovës, është ideologu dhe bartësi i idesë dhe i përjetësimit të pavarësisë së Kosovës i vullnetit shekullor të shumë gjeneratave atdhetare që punuan dhe u sakrifikuan për Kosovën Shtet Sovran dhe të Pavarur, për popullin e saj të dinjiteshëm e të lirë në gjiun e popujve dhe të civilizimit evropian.
Presidenti i Kosovës dr. Ibrahim Rugova ishte i pari veprimtar në Evropën juglindore që bëri shkëputje nga diktatura komuniste duke krijuar të parën parti demokratike në të cilën aderoi mbarë populli i Kosovës si akt kundërshtimi të okupimit serb të Kosovës.
Filozofia e rezistencës aktive paqësore , format e kundërvënies qytetare, organizimi vetanak demokratik e autonom e autokton i institucioneve demokratike të Kosovës, që përfshiu gjithë sistemin e edukimin e arsimimit dhe sistemin shëndetësor, sistemin financiar duke përfshirë dhe mbajtjen e zgjedhjeve demokratike parlamentare dhe presidenciale bënë që Kosova dhe populli i saj të admirohen për filozofinë politike e cila kulmoi me luftën çlirimtare të popullit të Kosovës, të Ushtrisë Çlirimtare të saj, që solli edhe intervenimin dhe mbështetjen ushtarake të NATO-s.
Nën udhëheqjen e Presidentit Rugova Kosova për herë të parë në historinë e vet e përjetoi lirinë e përjetoi jetën e lirë dhe të qetë, prosperitetin ekonomik dhe të gjithanshëm në të gjitha sferat e jetës dhe të punës dhe rrugën e integrimeve euroatlantike.
Vizioni i Presidentit Rugova ishte dhe mbeti Kosova e lirë, sovrane dhe e pavarur e integruar në strukturat euroatlantike në miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Vepra e Presidentit Ibrahim Rugova është bazamenti mbi të cilin po ndërtohet e do të zhvillohet Kosova e ardhmërisë, Kosova e bijve dhe bijave tona, Kosova e qytetarëve me liri dhe të drejta të barabarta pa asnjë dallim.
Institucionet e Kosovës janë unike në këto çaste të dhimbshme, janë të vendosura që të përmbushin të gjitha obligimet kushtetuese dhe ligjore për të sёndёrtuar vullnetin e popullit të Kosovës për liri dhe pavarësi, për të përmbushur dëshirën e Presidentit të vet Ibrahim Rugova.
Populli i Kosovës si gjithherë në çastet kur e kërkon historia, edhe tash është i përkushtuar me vetëmohim të kapërcejë çdo vështirësi dhe të realizojë idealin e të gjithë atdhetarëve për jetë të lirë, të qetë dhe të prosperitetshme, duke dhënë angazhimin e kontributin e vet kudo që kërkohet. Me këtë ne përmbushim edhe amanetin e Presidentit të Kosovës Ibrahim Rugova.
Le të prehet në paqe , në parajsën e përjetshme shpirti i Presidentit të Kosovës dr. Ibrahim Rugova.
Zoti e bekoftë familjen Rugova Zoti e bekoftë Kosovën dhe popullin e saj.
Prishtinë 21 janar 2006.