Lajmet e fundit

Fjala e Kryetarit të Kuvendit të Kosovës, akademik Nexhat Daci, në seancën komemorative të Kuvendit të Kosovës, me rastin e vdekjes së Presidentit të Kosovës, dr. Ibrahim Rugova

, 22.01.2006




Prishtinë, 22 janar 2006

Të nderuar familje e Presidentit Rugova, pranoni ngushëllimet e mia në këtë pikëllim të madh që po e përjetoni dhe të jeni krenarë, sikurse jemi edhe gjithë ne, me jetën e veprën e Presidentit dr. Ibrahim Rugova, i cili si askush tjetër e ngriti popullin e Kosovës, ia rriti dinjitetin dhe ia ndërtoi themelet e ardhmërisë evropiane.

I nderuari Kryeministër, të nderuar ministra,
I nderuari Kryeadministrator i i Kosovës, zotëri Soren Jessen-Petersen,
I nderuari Gjeneral Valloto, i nderuari ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, zotëri Golberg, ju falënderojmë edhe për gjithë ndihmën e pakursyer, edhe të mjekëve, që deri në çastet e fundit ishin pranë Presidentit tonë të dashur,
Të nderuar shefa të zyrave dhe përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare që po jepni kontribut të vazhdueshëm në ndihmë të Kosovës,
Të nderuar përfaqësues të bashkësive fetare,
I nderuari kryetar i ASHAK, Akademik Rexhep Ismajli
I nderuar Kryetar i Këshillit të Universitetit, Jahi Hoxha
Të nderuar deputetë,

Jemi mbledhur këtu për t’ i bërë nderimet Presidentit të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, i cili me gjithë jetën e veprën e vet ishte në shërbim të popullit të Kosovës. Vepra dhe angazhimi i tij është shtylla kryesore dhe bazamenti i palëkundur i Kosovës së lirë, shtet i pavarur e sovran. Presidenti i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, edhe nga tradita e pasur atdhetare e zgjodhi jetën e intelektualit duke i arritur majat e dijes e të vështrimit kritik, duke nxjerrë nga e kaluara të gjitha ato vlera aq të dobishme për neve sot dhe për gjeneratat e ardhshme, duke ndjekur fillin e mendjes së ndritur të atyre ideve që materializohen dhe bëhen të pandalshme në arritjen e qëllimeve e synimeve të drejta e humane që përmblidhen në liri, demokraci, barazi, pavarësi.

Presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova bëri shkëputje të hershme nga intelektuali për vete, nga rehatia e shoqërimit me librat dhe me ambientet e mbyllura intelektuale për t’ u bërë një tribun i vërtet i popullit, një njeri që digjet e fiket, për interesat madhore, për atë që populli i tij, si edhe popujt e tjerë të jetojë në paqe e në harmoni, i lirë dhe i qetë, duke ndërtuar e projektuar me dinjitet të ardhmen e vet.

Që në vitet tetëdhjetë të shekullit të njëzetë, Dr. Ibrahim Rugova u vu në krye të Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, duke i dhënë asaj një frymë demokratike e evropiane në kohën kur të tjerët kishin rënë në llumin e nacionalizmit e të shovinizmit. Dinamizimi i jetës shoqërore, kulturore dhe politike në Kosovë, bëri që pikërisht këtu të formohet lëvizja e parë demokratike në Evropën Juglindore dhe në vendet komuniste në përgjithësi. Ishte kjo Lidhja Demokratike e Kosovës, lëvizja më masovike ndonjëherë ndër shqiptarë, por edhe e paparë deri atëherë edhe ndër vendet e tjera. Pikërisht kosovarët ishin të parët në histori që i hodhën librezat e kuqe të komunizmit, duke bërë që ai brenda dy ditësh të bjerë me turp në gjithë Kosovën ,për të mos kthyer asnjëherë tjetër në këto hapësira.

Filozofia e urtë e origjinale e Presidentit të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, krijoi një lëvizje, krijoi një organizim që ishte shtet yni demokratik në një shtet të egër e diktatorial, e që krijoi të gjitha strukturat e mëvetësishme që funksiononin në të gjitha fushat e jetës, të arsimit, të shëndetësisë, të ekonomisë e financave, deri në organizimin e zgjedhjeve parlamentare dhe ndërtimin e institucioneve shtetërore. E gjithë kjo me një organizim të admirueshëm tërhoqi përkrahjen dhe ndihmën ndërkombëtare për çështjen tonë të drejtë kombëtare. Lufta çlirimtare e popullit tonë, Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte kundërvënie e drejtë dhe e pranueshme kundër regjimit okupues serb, i cili zbatonte shtypjen, gjenocidin dhe politikën shfarosëse kundër popullit të Kosovës. Kjo tërhoqi intervenimin ushtarak të NATO-s dhe ndihmën e pakursyer të gjithë bashkësisë ndërkombëtare, veçanërisht të Shteteve të Bashkuara të Amerikës me të cilën si thoshte Presidenti i nderuar, populli ynë lidhi miqësi të përjetshme.

Presidenti i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova ishte fitues i të gjitha zgjedhjeve të deritashme demokratike në Kosovë. Pikërisht këtu ai e shihte parimin demokratik, që të bëhen koalicione dhe të qeveriset së bashku me subjektet e tjera. Kjo ishte dhe mbeti karakteristika unifikuese dhe dëshmia e një shpirti të hapur demokratik që ka vizion të qartë për ardhmërinë. Filozofia paqësore e Presidentit, Dr. Ibrahim Rugova, ishte filozofi politike e ngritjes dh e përgatitjes së popullit, ishte filozofi evropiane e argumenteve e veprimit dhe organizimit, që sot i krijoi ato standarde dhe parametra që Kosovën e bëjnë një vend demokratik evropian, një vend ku të gjithë qytetarët e saj jetojnë të lirë dhe të barabartë.

Ndërtimi i institucioneve shtetërore të Kosovës pati përherë mbështetjen vendimtare të Presidentit Rugova, i cili nuk kurseu asgjë, i cili flijoi çdo gjë, që ne sot të ndihemi dhe të jemi mirë. Kosova është krenare që e pati Ibrahim Rugovën, Kosova është e sigurt në të ardhmen e saj, sepse e ka veprën e Presidentit të saj, Dr. Ibrahim Rugova.
Le të pushojë i qetë në Parajsë Presidenti ynë.
Zoti e Bekoftë familjen Rugova që Kosovës i fali birin e saj
Zoti i bekoftë miqtë tanë ndërkombëtarë
Zoti e bekoftë Kosovën dhe popullin e saj.

Fjala e Kryetarit të Kuvendit të Kosovës, akademik Nexhat Daci, në seancën  komemorative  të Kuvendit të Kosovës, me rastin e vdekjes së  Presidentit të  Kosovës, dr. Ibrahim Rugova