Lajmet e fundit
Telegrami ngushëllimit i Presidentit të SHBA-së, George W. Bush
, 24.01.2006
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës , George W. Bush, ngushëlloi të hënën nëpërmjet një telegrami, familjen e Rugova, kryetarin e Kuvendit, Nexhat Daci dhe popullin e Kosovës. Në telegram thuhet :
"Me pikëllim të thellë e mora lajmin për vdekjen e Presidentit Ibrahim Rugova. Presidenti Rugova për shumë vite udhëhoqi fushatën për paqe dhe demokraci në Kosovë dhe fitoi respektin e botës për qëndrimin e tij parimor kundër dhunës.
Shtetet e Bashkuara kanë humbur një mik të vërtetë. Gjatë viteve të konfliktit, Ibrahim Rugova ishte zëri i arsyes dhe maturisë që i ndihmoi popullit të Kosovës për të vënë bazat për një të ardhme paqësore. Humbja e këtij zëri, në këtë kohë vendimtare, është posaçërisht tragjike për Kosovën. Më lejoni t'ju siguroj se Shtetet e Bashkuara mbesin të përkushtuara për të punuar me gjithë njerëzit e Kosovës për ndërtimin e një ardhmërie që është stabile, demokratike dhe përparimtare.
Në emër të popullit të Shteteve të Bashkuara, unë dhe Laura i shprehim ngushëllimet tona familjes së Presidentit Rugova dhe gjithë popullit të Kosovës.
Sinqerisht, George W. Bush", theksohet në fund të mesazhit të Presidentit amerikan.