Lajmet e fundit
Komunikatë e Këshillit Ekzekutiv të Varrimit
, 24.01.2006
Këshilli Ekzekutiv i Varrimit të Presidentit Rugova, në mbledhjen e tij të rregullt të së hënës, pasdite, vlerësoi mbarëvajtjen e ditës së parë të homazheve për Presidentin Ibrahim Rugova. Këshilli ka çmuar sjelljen dinjitoze të qytetarëve të Kosovës, të cilët, përkundër acarit, në numër të madh kishin ardhur t’i shprehin nderimet e tyre për Presidentin e vet të dashur, Dr. Ibrahim Rugovën.
Këshilli vlerësoi lart angazhimin e të gjitha institucioneve dhe strukturave të përfshira në organizimet rreth ceremonive për nderim të Presidentit, duke veçuar punën e Trupave të Mbrojtjes së Kosovës (TMK) dhe të Shërbimit Policor të Kosovës (SHPK).
Këshilli i Varrimit beson se do të ketë mbarëvajtje edhe në dy ditët e ardhshme të homazheve publike për Presidentin Rugova. Orari për homazhet publike në Kuvend, ditën e martë dhe të mërkurë, mbetet ai që ishte shpallur në fillim, nga ora 09:00 deri në 18:00. Mirëpo, do të ushtrohet fleksibiliet ndaj fluksit eventual të madh të qytetarëve në orët e pasdites.
Këshilli i Varrimit lut qytetarët që për hir të kohës, duke ditur edhe kushtet klimatike në të cilat qytetarët presin në rreshta të gjatë, vetëm të parakalojnë në hap para trupit të pajetë të Presidentit Rugova.
Këshilli Ekzekutiv i Varrimit ritheksoi se varrimi i Presidentit Rugova, që do të bëhet ditën e enjte në Prishtinë, do të jetë me karakter kombëtar dhe shtetëror.
Të gjitha detajet e tjera që lidhen me organizimet e ceremonive qendrore të ditës së varrimit të Presidentit Rugova do të bëhen të ditura me kohë.