Lajmet e fundit

Kryeparlamentarit Daci i arrijnë telegrame ngushëllimi me rastin e vdekjes së Presidentit Rugova

, 24.01.2006




Frymëzues i pashoq i paqes dhe i lirisë

Me rastin e vdekjes së Presidentit Ibrahim Rugova, Kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Nexhat Daci, vazhdojnë t’ i arrijnë telegrame ngushëllimi nga burrështetas e personalitete të tjera të rëndësishme të jetës politike, shoqërore dhe fetare nga bota dhe vendi. Në telegrame shprehet dhembje për frymëzuesin e pashoq dhe simbolin e paqes e të lirisë, si dhe besimi se Kosova do të ecën rrugës së pandalshme të pavarësisë së plotë, të paqes dhe të prosperitetit .
Telegrame ngushëllimi kanë arritur edhe nga kryeministri i Britanisë së Madhe , Toni Bler, myftiu i Kosovës, mr. Naim Tërnava, Ranko Krivokapiq, kryetar i Kuvendit të Malit të Zi, Rexhep Haxhimusa, kryetar i Gjykatës Supreme të Kosovës, mr. Muhamed Ibrahimoviq, kryesues i Dhomës së Përfaqësuesve të Parlamentit të Federatës së BH-së, dr. Jakob Kellenberger nga Komiteti Ndërkombatar i Kryqit të Kuq, prof. Ekmeleddin Isanoglu nga Organizata e Konferencës Islamike, pastaj një telegram i përbashkët nga Rrjeti i Grave të Kosovës,Lobi i Grave të Kosovës,Fondacioni për Iniciativë Demokratike, ATRC, KIPRED dhe Partneret Kosova- Qendra për administrimin e konflikteve, prof. Dr. Sali Bashota, drejtor i Bibliotekës Kombëtare dhe Universitare të Kosovës, Kristaq Kikin , rektor i Universitetit të Gjirokastrës, prof. dr. Alajdin Abazi, rektor i Universitetit të Evropës Juglindore, Ermir Dobjani , Avokat i Popullit të Shqipërisë , Episkopi Teodosije nga Manastri i Deçanit, Ajri Begu dhe Michel Svetchine, përkatësisht kryetar i BPK-së dhe drejtor menaxhues, Slobodan Drashkoviq, kryetari Komunës së Medvexhës etj.