Lajmet e fundit

Kumtesë e Këshillit Ekzekutiv i Varrimit

, 25.01.2006




Këshilli Ekzekutiv i Varrimit të Presidentit Rugova, i mbledhur pasditën e së martes, nën drejtimin e kryetarit të Këshillit, Akademik Nexhat Dacit, u njoftua për punët përgatitore që kanë bërë grupet operative për organizimin e ceremonisë së varrimit të Presidentit Rugova. Lidhur me këtë, Këshilli vlerësoi se përgatitjet po shkojnë me ritmet e planifikuara, duke veçuar punën e Trupave të Mbrojtjes së Kosovës (TMK) dhe të Shërbimit Policor të Kosovës (SHPK) në gjithë këtë proces.

Gjithashtu, Këshilli sërish vlerësoi lart sjelljen dinjitoze dhe devotshmërinë e qytetarëve të Kosovës, të cilët në numër të madh vazhdojnë të bëjnë homazhe në nderim të figurës së Presidentit Ibrahim Rugova.

Këshilli i Varrimit miratoi elementet kryesore të protokolit të ceremonisë së varrimit të Presidentit.

Ceremonia qendrore do të mbahet ditën e enjte në Sallën “1 Tetori”, duke filluar nga ora 13:00, ndërsa varrimi në Varrezat e Dëshmorëve në lagjen “Velania” të Prishtinës.

Në ceremoninë zyrtare në sallën “1 Tetori” fjalë rasti do të mbajnë: PSSP Soren Jesen Petersen, Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Akademik Nexhat Daci, kryeministri i Kosovës, Bajram Kosumi, nënkryetari i LDK-së, Kolë Berisha, dhe përfaqësuesi i familjes së Presidentit Rugova.

Këshilli i Varrimit u njoftua se delegacione të shumta nivelesh të ndryshme qeveritare kanë paralajmëruar pjesëmarrjen në ceremonitë mortore të Presidentit Rugova.

Orari për homazhet publike në hollin e Kuvendit të Kosovës për ditën e mërkurë mbetet ai që ishte shpallur në fillim, nga ora 09:00 deri në 18:00. Mirëpo, do të ushtrohet fleksibiliet ndaj fluksit eventual të madh të qytetarëve në orët e pasdites.

Këshilli Ekzekutiv i Varrimit do të mblidhet të mërkurën në orën 17:00 në ndërtesën e Qeverisë, për të saktësuar detajet përfundimtare të ceremonisë së funeralit të Presidentit Rugova.