Lajmet e fundit

Kryeparlamentari Daci priti një delegacion prej 50 vetash nga SHBA-të

, 25.01.2006




Kryetari i kuvendit të Kosovës, akademik Nexhat Daci, priti sot një delegacion të gjerë prej 50 vetash, të përbërë nga veprimtarë shqiptarë të subjekteve të ndryshme që veprojnë në SHBA , të cilët kanë ardhur nga përtej Atlantiku për t’ u gjendur afër familjes Rugova, institucioneve të Kosovës dhe mbarë popullit shqiptar, në këto çaste të zisë, të dhembjes së madhe për humbjen e një figure të papërsëritshme për arritjen e ëndrrës shekullore për pavarësi të Kosovës.

Veprimtarët shqiptarë duke ngushëlluar kryeparlamentarin Daci, ishin të një fjale se për asnjë çast, si gjithnjë, nuk do të harrojnë obligimet atdhetare që kanë ndaj Kosovës dhe viseve të tjera shqiptare.

Në këto ditë të zisë Kosova po dëshmon një unitet të lartë institucional, në të gjitha aktivitetet ceremoniale për presidentin e ndjerë Rogova. Institucionet bashkë me qytetarët, të cilët me dinjitet e moral të lartë po rrinë me orë të tëra në këto ditë të ftohta për të ngushëlluar familjen Rugova, po tregojnë se dinë të jenë unik në çaste vendimtare historike, theksoi në fillim kryeparlamentari Daci. Në vijim kryeparlamentari Daci tha se kemi obligim dhe përgjegjësi historike që të nxjerrim energjitë e fundit, për të realizuar amanetin e Presidentit Rugova për pavarësi të Kosovës. Pavarësia e Kosovës është e panegociueshme, ajo ose është pavarësi, ose nuk është. Ky është vullnet politik, shpirtëror e fizik i aq shumë gjeneratave që punuan e u sakrifikuan për lirinë e Kosovës. Ndërsa, në këtë frymë, dinjiteti që po manifestohet, si nga institucionet, ashtu edhe nga qytetarët, është referendumi më i mirë për realizimin e synimeve të Kosovës, ndaj në këtë rrugë nuk mund të ketë asnjë shmangie, theksoi kryeparlamentari Daci.

Kryeparlamentari Daci  priti një delegacion  prej 50 vetash nga SHBA-të