Lajmet e fundit

Dita e tretë e homazheve

, 25.01.2006




Qytetarët e Kosovës, në numër të madh, vazhdojnë të presin në radhë të gjata, nëpër mot shumë të ftohtë, për të bërë homazhe pranë trupit të pajetë të Presidentit Rugova në hollin e Kuvendit të Kosovës. Delegacione të shumta vendore dhe ndërkombëtare po bëjnë homazhe në nderim të jetës dhe figurës së Presidentit Rugova.

Ardhja e delegacioneve nga bota

Delegacione të shumta nga bota kanë paralajmëruar pjesëmarrjen në funeralin e Presidentit Rugova. Disa prej tyre tashmë kanë arritur, duke përfshirë edhe delegacionin e lartë nga Shqipëria, kryesuar nga Presidenti Mojsiu. Delegacioni presidencial amerikan do të kryesohet nga z. Alphonso Jackson, Sekretar për Banim dhe Zhvillim Urban. Në delegacionin që ka caktuar Presidenti amerikan George W. Bush janë edhe: z. Philip Goldberg, shef i Misionit Amerikan në Kosovë, dhe z. Frank Wisner, Përfaqësues Special i Sekretares Amerikane të Shtetit në Bisedat për Statusin e Kosovës. Nga NATO-ja konfirmohet ardhja e Admiralit Ulrich, komandant i Aleancës për Krahun Jugor të Aleancës, Ndihmës-Sekretari i Përgjithshëm për Çështje Politikë, Martin Erdmann, etj. Paralajmërohet ardhja e presidentëve të Sllovenisë, Kroacisë, Maqedonisë, përkatësisht Janez Dërnovshek, Stipe Mesiq, Branko Cërvenkovski.

Nga strukturat evropiane është konfirmuar ardhja e Javier Solanës dhe Olli Rehn-it. Delegacionet nga Gjermania, Zvicra dhe Austria do të kryesohen nga ministrat e jashtëm, përkatësisht Frank-Walter Steinmeir, Michele Calmy-Rey, Ursula Plasnik.

Britania, Franca, Turqia, Hungaria, Rumania, dhe një numër vendesh të tjera poashtu përfaqësohen në nivel ministrash. I dërguari i OKB-së për statusin e Kosovës, Marti Ahtisaari, dhe ekipi i tij kanë paralajmëruar më herët pjesëmarrjen në ceremonitë mortore për Presidentin Rugova.

Pjesëmarrjen e ka paralajmëruar edhe një delegacion nga Vatikani, kryesuar nga Kryeipeshkvi Pier Luigi Celata, nga Këshilli Pontifikal për Dialog Ndërfetar.

Ka edhe delegacione të tjera që kanë konfirmuar dhe pritet të konfirmojnë pjesëmarrjen në ceremonitë e varrimit të Presidentit.

Grupi për Pritjen e Delegacioneve Ndërkombëtare, i caktuar nga Këshilli për Varrim, po u bën pritje të organizuar në Aeroportin e Prishtinës delegacioneve që vijnë nga bota.

Nga Aeroporti i Prishtinës njoftohet se aeroporti ka kapacitete që të përballojë të gjithë fluturimet e paralajmëruara të delegacioneve pjesëmarrëse nga bota.

Urdhëresë nga Ministria e Transportit dhe e Postë-Telekomunikacionit

Mininstri i Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit, zoti Qemajl Ahmeti, ka lëshuar një urdhëresë me të cilën urdhërohet të gjithë drejtuesit e automjeteve të transportit të mallërave, që më datën 26 janar 2006 nga ora 07:00 deri në ora 19:00 të ndërprejnë transportin në të gjitha rrugët magjistrale dhe rajonale të Kosovës.

Interesim i madh medial

Media nga gjithë bota kanë shfaqur interesim të madh për përcjelljen e ceremonive përkujtuese dhe mortore për Presidentin Rugova. Me qindra gazetarë nga vendi dhe bota do ta përcjellin funeralin e Presidentin ditën e enjte.

Grupi për Media i Këshillit për Organizimin e Ceremonisë së Varrimit të Presidentit Rugova