Lajmet e fundit

Kryeparlamentari Daci priti delegacionin e Shqipërisë në krye me presidentin, Alfred Moisiu

, 25.01.2006




Faktori shqiptar kurrë nuk ka qenë më unik sesa këto ditë kur po bën nderimet e fundit për Presidenti Rugova. Homazhet karakterizohen nga një dinjitet i lartë, të gjitha ceremonitë po kryhen me një qetësi të admirueshme edhe në këtë mot të ftohtë. Mbarë këto aktivitete po i përshkon edhe një unitet institucional. Fare pranë këtyre rrjedhave gjenden edhe institucionet dhe qytetarët e Shqipërisë, që e bëjnë edhe më shpresëdhënëse ecjen e sigurt përpara në realizimin e ëndrrës për pavarësi të plotë të Presidentit Rugova. Liria kombëtare nuk mund të ndahet, kombi është i lirë kur është i lirë në çdo pjesë të tij. Këto ishin disa nga konstatimet e takimit që pati kryeparlamentari Daci me delegacionin shtetëror të Shqipërisë, në krye me presidentin Alfred Moisiu, në përbërje të të cilit ishin edhe kryeministri Sali Berisha, kryetarja e Kuvendit , Jozefina Topalli, ministri i Punëve të Jashtme, Besnik Mustafaj etj.

Pasi shprehu ngushëllimet më të thella për vdekjen e Presidentit Rugova, presidenti Moisiu theksoi se te mbarë populli shqiptar po vërehet një ndjeshmëri e lartë dhembjeje. Ne jemi përkrah vizionit të presidentit Rugova për realizimin e ëndrrës për një Kosovë të lirë e të pavarur.

Për të gjitha këto që ka bërë presidenti Rugova, shumë shpejt në Shqipëri ai do të dekorohet me Urdhrin e Flamurit Kombëtar, theksoi Moisiu. Kryeministri Berisha theksoi se vdekja e Rugovës është humbje e madhe për të gjithë shqiptarët dhe për të gjithë ata që e dinë ç’ është paqja dhe liria. E ardhmja e Kosovës është e garantuar, sepse thellë në qenien e popullit është mishëruar besimi për një Kosovë të pavarur, e integruar në Evropën e integruar, në botën e qytetëruar, që aspironte fuqishëm presidenti Rugova.

Jozefina Topalli kujtoi çastet e takimit të paradokohshëm me presidentin Rugova. Me këtë rast, tha ajo , as nuk munda ta pyes për sëmundjen, sepse ai edhe në ato momente të sëmundjes së rëndë, fliste vetëm për procese e zhvillime. Kosova, theksoi akademik Nexhat Daci , ndihet shumë e fortë në këto momente zie, si institucionet, ashtu edhe populli, po demonstrojnë një unitet të pashembullt. Kjo është dëshmia më e mirë se do të sendërtohet porosia e presidentit Rugova. Në këtë vështrim, janë të kota gjasat nga disa qarqe të caktuara se në Kosovë mund të ketë destabilizim, përkundrazi, Kosova po tregon faqe botës shkallë të lartë stabiliteti politik, tha kryeparlamentari.

Kryeparlamentari Daci priti delegacionin e Shqipërisë në krye me presidentin, Alfred Moisiu