Lajmet e fundit
Kryeparlamentari Daci priti kongresmenin Eliot Engel
, 25.01.2006
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, akademik Nexhat Daci dhe kryeministri i Kosovës Bajram Kosumi pritën sonte kongresmenin amerikan Eliot Engel, mikun e përkrahësin e madh të aspiratave për liri të shqiptarëve. Pas këmbimit të ngushëllimeve për vdekjen e presidentit Rugova, Kongresmeni u njoftua për tërë rrjedhën e ceremonive të nderimeve që po i bëhen presidentit Rugova, gjatë të cilave po dëshmohet uniteti institucional dhe qytetar ndaj simbolit të lirisë dhe të paqes.
Ishte konstatim thelbësor se momentet e këtilla të rënda vetëm sa i kanë unifikuar shqiptarët, ndaj edhe pritet që të gjitha institucionet të vazhdojnë po me këtë tempo proceset e nisura për finalizimin e statusit të Kosovës, deri në pavarësinë e plotë.
Pavarësia, ishte qëndrim unik i bashkëbiseduesve është opsion i vetëm, ajo duhet të jetë e plotë, ajo nuk duron kurrfarë shtrëngesa. Nderimet që bëhen në këto ditë të ftohta nga qindra mijëra shqiptarë janë referendum i mirëfilltë për unitetin e shqiptarëve drejt pavarësisë së plotë të Kosovës. Qytetarët dhe klasa politike e Kosovës po tregojnë pjekuri, shenjë se do të kalojnë me sukses sfidat me të cilat përballet vendi. Në takim u shfaq shpresa se kongresmeni Engel do të vazhdojë edhe më tutje të përkrahë Kosovën.
Kosova do të jetë bashkë me mikun Engel në festën e madhe të Pavarësisë.