Lajmet e fundit

Detaje të cereonisë së varrimit të presidentit Rugova

, 26.01.2006




Këshilli Ekzekutiv për Varrimin e Presidentit Rugova, i mbledhur në pasditn e së merkures, nën drejtimin e kryetarit të Këshillit, Akademik Nexhat Dacit, e finalizoi formatin e ceremonisë së varrimit të Presidentit Rugova ditën e enjte, më 26 janar 2006. (Detajet jepen në fund të kësaj kumtese).

Këshilli i Varrimit ka vendosur që në ceremoninë qendrore, që do të mbahet në sallën “1 Tetori” duke filluar nga ora 13:00, të mbahen gjashtë fjalime. Fjalime do të mbajnë: PSSP Soren Jesen Petersen, Kryeministri Bajram Kosumi, përfaqësuesi i BE-së, nënkryetari i LDK-së, Kolë Berisha, përfaqësuesi i SHBA-ve, dhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Akademik Nexhat Daci. Familja e Presidentit Rugova do të falënderojë përmes mediave.

Sonte përfundojnë homazhet publike para trupit të pajetë të Presidentit Rugova. Këshilli ritheksoi në mbledhjen e sotme se gjatë 15 ditëve të zisë së shpallur kombëtare, që ka filluar të hënën më 23 janar 2006, nuk do të ketë aktivitete politike, kulturore dhe sportive.

Këshilli i Varrimit në përbërje të gjerë do të takohet ditën e premte, në ora 11:00, në ndërtesën e Qeverisë për të vlerësuar mbarëvajtjen e ceremonive përkujtuese dhe mortore për Presidentitn e ndjerë, Dr. Ibrahim Rugova.

Detajet themelore të ceremonisë së varrimit të Presidentit Rugova ditën e enjte, më 26 janar 2006

Prej orës 8.00 deri në orën 9.00 – Njësiti i TMK-së i bën nderime arkivolit me trupin pa jetë të Presidentit Rugova, në Hollin e Kuvendit të Kosovës.

Në orën 9.00 - Para Kuvendit të Kosovës vijnë përfaqësuesit e familjes së Presidentit Rugova dhe përfaqësuesit e institucioneve.

Në orën 9 e 15 minuta - Para Kuvendit të Kosovës rreshtohen të gjitha elementet e ceremonisë se funeralit, përfshirë këtu edhe Togun e Nderit të TMK-së.

Në orën 9 e 30 minuta – Bëhet dalja nga Parlamenti sipas kësaj radhitje: - Piramida me emrin e Presidentit Rugova ; - Fotoja e Presidentit ; - Kurorat me lule; - Arkivoli me trupin e pajetë të Presidentit, e cila vendoset në shtratin e topit; Togu i Nderit nderon me armë arkivolin me trupin e pajetë të Presidentit Rugova, prej daljes nga dera e Kuvendit të Kosovës deri të vendosja në shtratin e topit.

Në orë 9 e 30 minuta – Arkivoli me trupin e pajetë të Presidentit niset për në sallën 1 Tetori. me këtë renditje: - Piramida me emrin e Presidentit Rugova ; - Fotoja e Presidentit ; - Automjeti i komandantit të funeralit, i cili gjatë gjithë kohës lëshon muzikë mortore ; - Togu i Nderit ; - Kurorat me lule. Do të ketë vetëm 7 kurora lulesh: nga Familja e Presidentit, UNMIK-u, KFOR-i, Presidenca, Qeveria, Kuvendi dhe LDK-ja . - Arkivoli me trupin e pajetë të Presidentit Rugova, i vendosur në shtratin e topit dhe i shoqëruar nga anash me 6 roje nderi të armatosura ; - Familja e Presidentit Rugova dhe përfaqësuesit e institucioneve ;

Kortezhi mortor do të përshkojë këtë rrugë: nga Kuvendi i Kosovës, përgjatë sheshit Nëna Terezë, të udhëkryqi i Fakultetit të Filologjisë, të Udhëkryqi të Mensa e Studentëve dhe prej aty në Sallën “1 Tetori”.

Shënim: Gjatë rrugëtimit të kortezhit mortor prej Kuvendit të Kosovës deri në Sallën “ 1 Tetori “, qytetarët nuk duhet t’i bashkohen kortezhit mortor. Ata duhet të qëndrojnë në të dyja anët e rrugës dhe prej aty ta nderojnë dhe t’i japin përshëndetjen e fundit Presidentit Rugova.

Në orën 10.00– Hapen dyert anësore të Sallës “ 1 Tetori “ dhe fillojnë të hyjnë delegacionet e komunave të Kosovës, të cilët do të vendosen në tribuna.

Shënim: Delegacionet e komunave të Kosovës duhet të mbërrijnë prapa Pallatit të Rinisë dhe Sporteve, tek ish-Tregu me shumicë, më së voni në ora 08:30. Prej aty do të ketë transport të organizuar për në Sallën “1 Tetori”.

Shënim: Prej orës 10.00 deri në orën 11.00 brenda në Sallën “ 1 Tetori “ vendosen edhe përfaqësuesit e mediave, të cilët vendosen ne vendin e përcaktuar nga protokolli.

Në orën 11.00 - Kortezhi mortor arrin para Sallës “ 1 Tetori “ . Pjesëtarët e TMK-së, vendosin arkivolin me trupin e pajetë të Presidentit Rugova, në vendin e caktuar në Sallën “ 1 Tetori “. Në të njëjtën kohë në Sallë vendosen edhe rojet e nderit dhe Togu i Nderit i TMK-së.

Në orën 11 e 30 minuta – Nga hyrja kryesore e Sallës “ 1 Tetori “ fillojnë të hyjnë përfaqësuesit e institucioneve vendore dhe VIP-at lokalë.

Prej orës 12.00 deri në orën 13.00 – Bëhet vendosja dhe akomodimi në sallë i delegacioneve të huaja, nga përgjegjësit e protokollit.

Prej orës 11 e 30 deri në orën 13.00 – Filarmonia e Kosovës, e cila është e vendosur brenda në Sallë, do të ekzekutojë muzikë klasike.

Në orën 13.00 – Fillon Ceremonia Zyrtare e Varrimit të Presidentit Rugova. Ceremonia do të mbahet në dy gjuhë: shqip dhe anglisht.

Prej orës 13.00 deri në orën 14.00 – Pjesa zyrtare e Ceremonisë mortore, sipas protokollit. Mbahen gjashtë fjalime:

1. PSSP Soren Jesen Petersen

2. Kryeministri Bajram Kosumi

3. Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Javier Solana,

4. Nënkryetari i LDK-së, Kolë Berisha,

5. Përfaqësuesi i SHBA-ve, Sekretari Alphonso Jackson, i deleguar i Presidentit Bush

6. Kyetari i Kuvendit të Kosovës, Akademik Nexhat Daci.

Gjatë pjesës zyrtare të ceremonisë rojet e nderit të TMK-së ndërrohen çdo 15 minuta.

Në orën 14.00 – Pasi që konferencieri i Ceremonisë Zyrtare të shpallë të mbyllur Ceremoninë mortore në Sallën “ 1 Tetori “, bëhet dalja nga Salla me këtë renditje: - Piramida me emrin e Presidentit Rugova ; - Fotoja e Presidentit Rugova ; - Togu i Nderit ; - Kurorat me lule ; - Arkivoli me trupin e pajetë të Presidentit Rugova ; - Familja e Presidentit.

Dalja e arkivolit me trupin e pajetë të Presidentit Rugova dhe vendosja e tij në shtratin e topit, bëhet me nderime nga Togu i Nderit, e përcjellë me muzikë mortore nga Filarmonia e Kosovës.

Nisja e Kortezhit mortor nga Salla “ 1 Tetori “ deri në Varrezat e Dëshmorëve në Velani, ku do të varroset Presidenti Rugova, bëhet sipas radhës që është ndjekur prej Kuvendit të Kosovës deri të Salla “ 1 Tetori “.

Delegacionet e huaja dhe përfaqësuesit e institucioneve mund t’i bashkëngjiten kortezhit mortor prej Sallës “ 1 Tetori “ deri në Varrezat e Dëshmorëve në Velani.

Kortezhi mortor do të përshkojë këtë rrugë: Nga Salla “1 Tetori” kah udhëkryqi te Mensa e Studentëve; pastaj vazhdon gjithë rrugës “Agim Ramadani” deri te ndërtesa e ish-Slloveniasporti. Prej aty, në të djathtë, vazhdon drejt te Varrezat e Dëshmorëve në Velani.

Shënim: Qytetarët e Kosovës nuk duhet t’i bashkëngjiten Kortezhit mortor, por duhet ta nderojnë Presidentin Rugova dhe t’i japin lamtumirën e fundit nga të dyja anët e rrugës prej Sallës “1 Tetori “ deri në Varrezat e Dëshmorëve në Velani.

Në orën 15.00 – Kortezhi mortor mbërrin të Varrezat e Dëshmorëve të Kombit në Velani, ku do të varroset Presidenti Rugova.

Pjesëtarët e TMK-së e heqin arkivolin e Presidentit Rugova nga shtrati i topit dhe e vendosin pranë varrit. Pas palosjes së flamurit, pjesëtarët e TMK-së e lëshojnë arkivolin e Presidentit Rugova në varr.

Gjatë lëshimit të arkivolit të Presidentit Rugova në varr Togu i Nderit bën të shtëna nderi në ajër.

Këtu përfundon Ceremonia.