Lajmet e fundit

Kryeparlamentari Daci priti delegacionin e Gjermanisë

, 26.01.2006




Dinjiteti i qytetarëve në këto ditë pikëllimi e nderimi për Presidentin Rugova është një manifestim i referendumit të llojit të veçantë, në frymë të përkrahjes së projektit për Kosovën, që kishte Presidenti. Në të gjitha ceremonitë e homazheve është treguar shkallë e lartë edhe e unitetit institucional. Këto ishin disa nga konstatimet e takimit të sotëm të kryetarit të Kuvendit të Kosovës, akademik Nexhat Daci, me një delegacion të Gjermanisë, i prirë nga ministri i Punëve të Jashtme, dr. Frank-Walter Steinmeier. Bashkë me këtë delegacion ishte edhe shefi i Zyrës Gjermane në Prishtinë, Eugen Ëollfarth.

Kryeparlamentari Daci falënderoi delegacionin gjerman që gjeti kohë që të jetë bashkë me popullin e Kosovës në këto ditë të rënda të zisë. Ai pastaj foli për kontributin e Gjermanisë në rrjedhat e bashkëpunimit me Kosovën, e në këtë vështrim përmendi ndihmën aq të çmuar që japin ushtarët gjermanë në kuadër të KFOR-it në Kosovë, si dhe Zyra Gjermane. Pasi shprehu ngushëllimet më të thella, dr. Frank-Walter Steinmeier, theksoi se Presidenti Ibrahim Rugova ka qenë shumë i afërt me popullin gjerman, duke premtuar ndihmën e mëtejme të Gjermanisë në procesin e statusit final të Kosovës.

Ndërkaq, në pyetjen se a mos do të ketë ngecje në procesin negociator, kryeparlamentari tha se nuk do të ketë kurrfarë ngecjeje në këtë aspekt. Kosova është e përgatitur dhe më unike se kurrë më parë në histori. Mbarë proceset që zhvillohen në Kosovë përshkohen nga norma kushtetuese e demokratike, sepse kujtimi për Presidentin Rugova është më i madh se çdo dallim.

Kryeparlamentari Daci priti delegacionin e Gjermanisë