Lajmet e fundit

Fjala mortore e Akademik Nexhat Dacit, kryetar i Kuvendit të Kosovës në ceremoninë mortore për Presidentit e Kosovës Dr. Ibrahim Rugova në “1 Tetori”

, 26.01.2006




Prishtinë 26 janar 2006

E nderuara familje Rugova
Të nderuar miq tanë ndërkombëtarë
Të nderuar qytetarë të Kosovës

Kosovë e mbështjellur në kostum të borës së zezë në dhembjen e madhe për liderin tënd historik.

Botë shqiptare e dinjitetshme në krenarin tënde.
Kosovë e fanarëve, përplot dhembje në historinë tënde, gjithnjë e veçantë, e dinjitetshme, e ashpër në dukjen e jashtme, por thellësisht fisnike dhe gjithmonë ballë lartë.

Kosovë e përlotur e heshtur, por zonjë që sot Altarit të shenjtë të Atdheut, të bijve dhe bijave që kaluan në legjendën e epokës më të re, të Adem Jasharit, Shkëlzen Haradinajt, Zahir Pajazitit, Fehmi Aganit Imzot Mark Sopit me Nënën e dashurisë, Nënën Tereze, që nga sot ju bashkohet simboli dhe prijësi i krenarisë sonë, që u bë legjendë për së gjalli duke e shpëtuar dhe ruajtur substancën tonë kombëtare nga fashizmi i fundshekullit njëzet – Presidenti ynë i respektuar Ibrahim Rugova.

Kosovë e liderit tënd shpirtëror dhe politik,

Kosovë e luftës së popullit për liri të prirë nga Ushtria Çlirimtare e Lavdishme e Kosovës, Kosovë këta shpirtra që prehen në qetësi të parajsës së gjithësisë janë fanar që gjithmonë do të shndrisin ardhmërinë tënde, të sigurt, në Bashkësinë e Botës demokratike të prirë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës me Bashkësinë Europiane.
President Rugova, në botën e përjetshme në Parajsë po të presin shpirtrat e mëdhenj të bashkëpunëtorëve Tuaj në rrugën e paqes, lirisë, tolerancë dhe shtetësisë së Kosovës, shpirtrat e akademikëve që Kosova me aq mund i krijoi si dhe shumë heronj e dëshmor që në përpjekjet shekullore u flijuan për lirinë e atdheut.

President i respektuar,

Kosova e përlotur është në pikëllim të thellë, por me zemër besimtare që shpirti i Juaj bashkë me plejadën e të parëve tanë do të na prin në finalen e madhe të Pavarësisë, në të cilën na udhëhoqët Ju.

O Perëndi, të falemi e të lutemi që përkujdeseni për këtë njeri të devotshëm të paqes, tё lirisë, tё barazisë dhe të dashurisë nё mes popujve dhe feve.

Përjetshëm të falënderohemi.

Presidenti ynë i dashur

Pushoni i qetë në Parajsën e gjithësisë, sepse në këtë botën tonë kalimtare asnjë herë nuk gjete kohë pushimi - një herë nga puna për ekzistencë dhe lufta për dije, penë e krijimtari e në dy dekadat e fundit, nga puna prej arkitekti dhe strategu politik e diplomatik për Kosovën e lirë, të dinjitetshme dhe të pavarur.
President i Kosovës
Ju e përmbushët ëndrrën Tuaj, i bëtë themelet që Kosova të jetë Shtet i Lirë dhe i Pavarur, krijuat mirëbesimin dhe filozofinë Tuaj paqësore e ndërtuese që të gjithë qytetarët pa asnjë dallim të gëzojnë liri të plota dhe të drejta të barabarta.

E nderuara Bashkësi Ndërkombëtare në Kosovë, i nderuari zotëri Soren Jesen Petersen, Kosova Ju falënderon për ndihmën që po i bëni Popullit dhe Institucioneve të saja.

Amerikë, mike e dëshmuar e popullit shqiptar dy shekuj në vazhdimësi, Kosova nga zemra e thyer sot, përzemërsisht dhe përhershëm të është mirënjohëse për udhëheqjen brilante të ndihmës vendimtare për shpëtimin nga shfarosja e popullit shqiptar në Kosovë.

Amerikë dhe Bashkësi Evropiane, frymëzues për Kosovën demokratike, shtet të gjithë qytetarëve që jetojnë dhe zhvillohen të lirë dhe të barabartë për të gjitha etnitë e saja, na prini në finalizimin e Projektit të presidentit Rugova, i cili nga sot do të prehet i qetë në Kosovën – Dardanin e tij antike.

President,
Zoti Ju bekoftë bashkë me familjen tënde, ndërsa Kosovën Ju e bekuat me jetën dhe veprën Tuaj.

Akademik Nexhat Daci
Kryetari i Kuvendit të Kosovës