Lajmet e fundit
Përfundime të Këshillit Komemorativ për ceremoninë mortore për Presidentin e Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova
, 27.01.2006
Prishtinë, 27 janar 2006, ora 13
Është vlerësim i përgjithshëm se i gjithë ceremoniali shkoi ashtu si ishte paraparë dhe i dha një dinjitet gjithë manifestimit, ashtu si e meritonte Presidenti ynë Dr. Ibrahim Rugova.
Falënderime të veçanta popullit të Kosovës, qytetarëve, të cilët në temperatura ekstreme të ulëta pritën në radhë me orë të tëra për t’ i bërë përshëndetjet dhe nderimet e fundit Presidentit të tyre të dashur, dhe që i bënë përcjellje madhështore, duke hedhur lule mbi arkivolin, gjatë ceremonisë së parakalimit rrugëve për në sallën “1 Tetori” dhe rrugës deri në varreza, dhe më pas nderimeve te Varri i Presidenti deri në orët e pasmesnatës. Gjithashtu i gjithë manifestimi kaloi pa asnjë incident, në rend të parë falë disiplinës dhe përkushtimit të gjithë qytetarëve të Kosovës.
Duhet përshëndetur e vlerësuar gjithë angazhimin e Trupave Mbrojtëse të Kosovës që ishte perfekt dhe që dëshmon se TMK-ja është e gatshme dhe e aftë që të kryejë çdo detyrë dhe angazhim që e kërkojnë institucionet dhe populli i Kosovës. Që njëmend është Ushtri e popullit të Kosovës. Pikërisht angazhimi i TMK-s, së bashku me ceremoninë tjetër protokollare i dha ngjyrim të veçantë shtetëror dhe kombëtar gjithë ceremonisë mortore për Presidentin e Kosovës.
Duhet përshëndetur e vlerësuar mbarë angazhimin e Shërbimit Policor të Kosovës, që dha kontribut maksimal, si në ceremonialet protokollare, ashtu edhe në sigurimin e rendit e qetësisë publike gjatë të gjithë këtyre ditëve, e sidomos në ceremonialin qendror në ditën e varrimit, angazhimin në rrugët e Prishtinës dhe në vetë Varrezat Përkujtimore.
Një falënderim i veçantë për të gjitha bashkësitë fetare, për të gjitha ritet që ia bënë Shpirtit të Presidentit të Kosovës Dr. Ibrahim Rugova, për lutjet fetare që u bënë nëpër xhamitë dhe kishat e Kosovës, për lutjet fetare që u bënë gjatë varrimit të trupit të pajetë të Presidentit.
Një falënderim i veçantë për të gjitha mediat elektronike dhe të shkruara, që me angazhim të shtuar profesional dhe me pjesëmarrje të përhershme i përcollën të gjitha aktivitetet dhe ceremonitë mortore dhe aktivitetet përreth kësaj.
Një falënderim i veçantë për të gjithë delegacionet e huaja që erdhën dhe i bënë nderime Presidentit të Kosovës, që morën udhë të largët në kushte të motit të ftoftë dhe i përballuan kushtet kosovare të ambientimit.
Vlerësohet lart puna e të gjitha ekipeve punuese të Këshillit Komemorativ për ceremonitë mortore për Presidentin e Kosovë, Dr. Ibrahim Rugova. Në rend të parë gjithë protokollin, veçanërisht të theksojmë rregullimin e sallës “1 Tetori”, krijimit të kushteve të përshtatshme për të gjithë të pranishmit. Gjithashtu edhe rregullimi i Varrezës së Presidentit dhe ambientit në varreza, por edhe i gjithë koordinimi i Protokollit në tërësi, si në Ndërtesën e Kuvendit të Kosovës, ashtu edhe gjatë parakalimit rrugëve të qytetit të Prishtinës, gjithë organizimit në “1 Tetori” dhe në Varreza.
Vlerësohet lart puna e Ekipit për pritjen dhe përcjelljen e delegacioneve të huaja, për pritjen në Aeroportin e Prishtinës, për homazhet në Ndërtesën e Kuvendit, për nderimet në sallën “1 Tetori”, për akomodimin dhe për përcjelljen e tyre.
Vlerësohet lart puna e ekipit për siguri, angazhimi i policëve të shërbimit Policor të Kosovës, edhe në rojet e nderit, edhe në mbajtjen e rendit dhe në organizimin e të gjitha punëve, që secili qytetar të mund t’ i bëjë nderime Presidentit të Kosovës.
Vlerësohet lart puna e Ekipit për media për gjithë këtë atmosferë mediale, për organizimin, përfaqësimin e prezantimin e të gjitha mediave, për krijimin e kushteve të volitshme të punës, për informimin e drejtë, të saktë e me kohë.
Vlerësohet lart puna e Komunës së Prishtinës dhe e të gjitha shërbimeve komunale për të pritur dhe përcjellë një numër kaq të madh njerëzish, dhe vlerësohet lart puna e të gjitha komunave të Kosovës në organizimin e ardhjes së qytetarëve në varrim dhe në ceremoninë mortore dhe në aktivitetet e tjera.
Vlerësohet lart dhe falënderohet puna e ekipeve mjekësore e shëndetësore që ishin të mobilizuara dhe iu ofronin cilëndo ndihmë të nevojshme qytetarëve.
Vlerësohet lart puna e të gjitha shoqatave dhe ju shprehet falënderim që iu ndihmuan dhe i lehtësuan qytetarët, edhe gjatë homazheve, edhe gjatë ditës së varrimit të Presidentit të Kosovës.
Vlerësohet lart dhe shprehet falënderim i thellë sidomos ndaj punës së UNMIK-ut me në krye zotëri Soren Jesen Petersen dhe puna e angazhimi i KFOR-it me në krye gjeneralin Xhyzepe Valloto.
Vlerësohet puna , angazhimi e përkushtimi i lartë i të gjithëve, si dhe përgjegjësia gjatë kryerjes së të gjitha punëve me efikasitet dhe me standarde të larta.
Puna e këtij Këshilli me sot përfundon.