Lajmet e fundit
Reagim i Zyrës së Kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Nexhat Daci
, 27.01.2006
“Koha Ditore” nuk e thotë të vërtetën
Në shkrimin e “Kohës Ditore” të datës 27 janar 2006 në faqen e parë me titull “Daci shpërfill iniciativën për zgjedhjen e kryetarit të ri”, me nëntitull “Burimet kanë vënë në pah se në momentin që kishte filluar të diskutohej për përshpejtimin e procedurave për gjetjen e kryetarit të ri kreu i Kuvendit Nexhat Daci, kishte përmbyllur takimin para kohës së paraparë, duke thënë se ishte ditë zie dhe se vetë kosovarët do t’ i kryenin këto muhabete” janë thënë të pavërteta dhe janë bërë edhe shpifje edhe komentime të padrejta.
Për të ditur të vërtetën “Koha ditore” nuk ka nevojë të thirret, në siç thotë “burime të afërta me gazetën” , sepse duke e ditur prezencën e themeluesit të saj në takim, ky do të ishte keqpërdorim i pozicionit dhe konflikt interesi, si dhe favorizim i vetëm një mediumi. “Koha ditore” mund ta marrë transkriptin e takimit, dhe duke e publikuar atë, ta shohë se nuk po e thotë të vërtetën.
Opinioni e di se Këshilli komemorativ për ceremoninë mortore për Presidentin e Kosovës Dr. Ibrahim Rugova, ka marrë vendim, i cili edhe është publikuar, se deri në përfundim të ditëve të zisë kombëtare do të pranohen vetëm ngushëllime dhe nuk do të zhvillohen aktivitete, as biseda politike, duke u respektuar kështu tradita e popullit, dhe duke treguar respekt për Presidentin. Për këtë edhe janë njoftuar të gjithë miqtë tanë ndërkombëtarë.
Aq më pak kjo është pranuar të bisedohet me ndokënd derisa trupi i pajetë i Presidentit ishte në ndërtesën e Kuvendit të Kosovës.
Takimi për të cilin shkruan “Koha ditore” ishte paralajmëruar si takim për ngushëllim, pikërisht ditën e varrimit të Presidentit dhe me protokoll nuk ishte caktuar kohëzgjatja. Miqtë tanë ndërkombëtar kishin ardhur me disa minuta vonesë, ndërsa ceremonitë për përcjelljen e trupit të pajetë të Presidentit të Kosovës do të fillonin në orën 9.00 për zyrtarët e institucioneve, ashtu si kishte vendosur Këshilli komemorativ, e jo në ora 9.30 si shkruan “Koha Ditore”. Kjo dëshmohet edhe nga fakti se drejtpërdrejt nga takimi Delegacioni i Kosovës ka zbritur për t’ i bërë nderimet Presidentit.
Gjithashtu, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Nexhat Daci, nuk e ka përmbyllur takimin, por është ngritur duke falënderuar, tek pasi delegacioni në krye me z. Sollana i kanë përfunduar fjalët e veta.
“Koha Ditore edhe mbititullin e gazetës “Takimet e liderëve në prapavijë të ceremonisë të kryetarit Rugova” e ka qëllimkeq dhe cinik, sepse të gjitha takimet liderët institucional dhe shefi i opozitës deri sot i kanë mbajtur vetëm me karakter ngushëllimi dhe nderimi për Presidentin e Kosovës, e jo në prapavijë të ceremonisë së varrimit, por në kuadër të ceremonive mortore, si ishte e paraparë me protokoll.
Lusim mediat që ta botojnë këtë reagim tonin, në funksion të shpjegimit të qëndrimit të institucioneve, duke përsëritur edhe njëherë se kryetari i Kuvendit të Kosovës nuk do ta bisedojë me askënd çështjen e zëvendësimit të Kryetarit Rugova, apo “zgjedhjen e kryetarit të ri” si thotë “Koha...” deri në përfundim të zisë kombëtare. Gjithashtu është bërë manir i “Kohës Ditore”, që reagimin tonë ta botojnë të përcjellë me komentimin e aty për atyshëm të vetin në gazetë, gjë që është në kundërshtim me ligjin dhe me Kodeksin e Gazetarisë.
Zyra e Kryetarit të Kuvendit të Kosovës
Prishtinë, 27 janar 2006.