Lajmet e fundit

Kryeparlamentari Daci priti një delegacion të fraksionit CDU/CSU

, 01.02.2006




Kryetari i Kuvendit të Kosovës, akademik Nexhat Daci, u takua sot me një delegacion të fraksionit CDU/CSU nga Gjermania, të prirë nga Volker Kauder, kryetar i fraksionit, të cilin e shoqëronte edhe Eugen Wollfarth, shef i Zyrës Gjermane në Prishtinë. Me këtë rast Volker Kauder i shprehu kryeparlamentarit Daci ngushëllimet më të thella për vdekjen e Presidentit Rugova. Në takim u theksua se Kosova ka një vizion të qartë të së ardhmes, ajo aspiron lirinë dhe pavarësinë, duke siguruar edhe të gjitha të drejtat për pakicat, si dhe mbrojtjen e trashëgimisë kulturore. Sa i përket përcaktimit të statusit, kryeparlamentari Daci theksoi se asnjë politikan në Kosovë nuk mund të nënshkruajë tjetër pos pavarësisë së Kosovës. Kryeparlamentari Daci e sheh perspektivën e Kosovës dhe të Serbisë në Bashkësinë Evropiane.

Në prononcimin e tij para mediave , z. Volker Kauder shprehu përshtypjen e tij se Kosova po ec në një shteg të mbarë, ndërsa Gjermania do të përkrahë këtë rrugë shpresëdhënëse.

Në vijim Kauder tha se tani duhet të pasojë një angazhim i të gjitha palëve për të kontribuar që sa më shpejt të zgjedhet kryetari i Kosovës. Javët që vijnë do të jenë vendimtare për këtë vend, përfundoi Volker Kauder.
Kryeparlamentari Daci priti një delegacion të fraksionit CDU/CSU