Lajmet e fundit

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, akademik Nexhat Daci, bisedoi me ambasadorin Frank Vizner dhe zëvendësndihmësen e Sekretares së Shtetit të SHBA-ve, Rosemary Di Carlo

, 02.02.2006




Kryetari i Kuvendit të Kosovës akademik Nexhat Daci pati një takim me delegacionin e SHBA-ve të udhëhequr nga ambasadori Frank Vizner, i deleguar i SHBA-ve në grupin për Kosovën të Marti Ahtisarit, në të cilin ishin edhe Rozemary Di Carlo zëvendësndihmëse e Sekretares së Shtetit dhe Filip Goldberg, shef i Zyrës së SHBA-ve në Kosovë.

Pasi shprehën bindjen se procesi i përfundimit të statusit të Kosovës duhet të përfundojë deri në fund të vitit 2006, si dhe qëndrimin e angazhimin e qeverisë amerikane që kjo çështje të kryhet edhe më shpejtë, delegacioni amerikan u interesua për mbarëvajtjen e procesit të bisedimeve dhe për situatën aktuale politike në rrethanat e reja.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës akademik Nexhat Daci, pasi theksoi zbrazëtinë që la vdekja e Presidentit të Kosovës dr. Ibrahim Rugova, tha se pasi të kalojnë ditët e zisë kombëtare nuk do të vonohet procedura për zgjedhjen e Presidentit të ri të Kosovës, ndërsa Parlamenti i Kosovës do ta kryejë detyrën e vet kushtetuese. Pasi kjo nuk është një zgjedhje krejt e re, ku partitë politike do të duhej t’ i matnin forcat politike, i mbetet Lidhjes Demokratike të Kosovës të propozojë kandidatin e saj. Nexhat Daci tha se e përkrah kandidaturën e Fatmir Sejdiut, ndërsa duke marrë parasysh deklarimet e subjekteve politike të Kosovës, duke përfshirë edhe disa nga opozita, atëherë ai është i bindur se Presidenti i ri i Kosovës, që do të ishte njëherësh edhe udhëheqës i Ekipit Negociator të Kosovës do të zgjidhet me më shumë se dy të tretat e votave, që do të siguronte një deklarim plebishitar.

Kosova do të jetë një shtet normal evropian, pa eksterritore brenda saj dhe pa kushtëzime të sovranitetit dhe të pavarësisë së saj. Të gjitha normat dhe standardet ndërkombëtare do të respektohen, ndërsa Kosova dhe Serbia do të mund t’ i ndihmonin njëra tjetrës në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe në integrimet evroatlantike.

Delegacioni i Kosovës është i përgatitur për bisedimet e Vjenës dhe do të jetë atje rreth datës 20 shkurt, në përbërje prej shtatë vetash me përfaqësim të plotë institucional, politik dhe profesional . Do të mbahet edhe takimi i Ekipit Negociator, i cili do të miratojë parimet bazë të dokumentit për Reformën e pushtetit lokal dhe do të emërojë delegacionin që do të shkojë në Vjenë.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Nexhat Daci, siguroi delegacionin amerikan se Kosova do të ndjekë rrugën e Presidentit Rugova për miqësi të përhershme me SHBA-të, duke kërkuar njëherësh ndihmën amerikane në ekspertë të lëmenjve të ndryshëm dhe në krijimin e kapaciteteve qeverisëse të Kosovës, sidomos në lëmin e sigurisë dhe të mbrojtjes.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, akademik Nexhat Daci, bisedoi me ambasadorin Frank Vizner dhe zëvendësndihmësen e Sekretares së Shtetit të  SHBA-ve, Rosemary Di Carlo