Lajmet e fundit

Kryeparlamentari Daci priti deputeten e Parlamentit të Zvicrës, Doris Strump

, 06.02.2006




Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Nexhat Daci, ka pritur sot deputeten e Parlamentit të Zvicrës, zonjën Doris Strump, e cila shoqërohej nga shefja e Zyrës Suedeze, Ann – Sofie Nilsson dhe shefja e Zyrës Zvicerane,Yvana Enzler.

Në takim është biseduar për zhvillimet në Kosovë, për bashkëpunimin ndërmjet dy parlamenteve dhe për pozitën e gruas në vendimmarrje.

Kreu i legjislativit të Kosovës, duke folur për zhvillimet në Kosovë, ka theksuar se Kosova është e përgatitur për bisedimet lidhur me statusin dhe se vendi ynë i plotëson kushtet të jetë shtet i pavarur. Pos me vullnetin e fortë të institucioneve dhe të qytetarëve, këtë e ka ilustruar edhe më faktin që Kosova e krijon vetë buxhetin e saj, por të cilin ende nuk e menaxhon në mënyrë të pavarur.

Sa i përket pjesëmarrjes së gruas në institucionet e Kosovës, Daci është shprehur i kënaqur, madje ka theksuar se në Kuvendin e Kosovës ajo përfaqësohet me mbi 30 për qind në numrin e tërësishëm të deputetëve, por ka shtuar se duhet të rritet roli saj në vendimmarrje.

Deputetja në Parlamentin e Zvicrës, zonja Doris Strump, e cila gjatë qëndrimit në Kosovë do të ketë takime edhe me gratë parlamentare të Kosovës, të cilave do tu ligjërojë për fuqizimin e gruas në vendimmarrje, ka thënë se në Parlamentin Zviceran gratë janë të përfaqësuara me 25 për qind të numrit të deputetëve. Ajo, ndërkaq është shprehur e befasuar me zhvillimet pozitive në Kosovës, sidomos për konsideratat e popullit të Kosovës për popullin e Zvicrës.

Profesor Daci këtë e ka shpjeguar me qëndrimin e avancuar të Zvicrës për të ardhmen e Kosovës dhe me faktin që Zyra Zvicerane e para është kujdesuar që në Prishtinë t’i japë vizat për kosovarët që punojnë ose duan ta vizitojnë Zvicrën.

Bashkëbiseduesit janë pajtuar se ka hapësirë për bashkëpunim edhe më intensiv ndërmjet Zvicrës dhe Kosovës, sidomos ndërmjet parlamenteve.
Kryeparlamentari Daci priti deputeten e Parlamentit të Zvicrës, Doris Strump