Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës
, 07.02.2006
Kryesia e Kuvendit të Kosovës, në mbledhjen e saj të drejtuar nga Nexhat Daci, kryetar, ka shqyrtuar mbajtjen e Seancës solemne për zgjedhjen e kryetarit të ri të Kosovës.
LDK-ja nominon Fatmir Sejdiun për kryetar të Kosovës
Kryeparlamentari Daci ua ka konfirmuar anëtarëve të Kryesisë së Kuvendit se zyrtarisht ka marrë nominimin nga LDK-ja të Fatmir Sejdiut për kryetar të Kosovës.
Seanca solemne të mbahet të hënën, më 13 shkurt
Me kërkesën e Grupit parlamentar të PDK-së ( për shkak se kryetari i partisë dhe katër deputetë të PDK-së, aktualisht nuk ndodhen në Kosovë), Kryesia ka vendosur që Seanca solemne për zgjedhjen e krzetarit të mbahet të hënën, më 13 shkurt të këtij viti.
Është vlerësuar shumë e rëndësishme që zgjedhja e kryetarit të bëhet para mbledhjes së KS të OKB-së, e cila mbahet më 14 shkurt, dhe që ai të zgjidhet që në raundin e parë.
Të martën vazhdon seanca e ndërprerë e 19 janarit
Kryesia gjithashtu ka vendosur që, të martën, më 14 shkurt, të vazhdojë me rendin e ditës nga seanca e ndërprerë e Kuvendit të Kosovës ( për shkak të vdekjes së presidentit Rugova). Në atë seancë do të debatohet sipas kërkesës së Grupit Parlamentar të Partisë Reformiste ORA, pastaj do të shqyrtohen propozimet e Qeverisë së Kosovës për: emërimin e anëtarëve në Bordin e pavarur për ankesa; për emërimin e anëtarëve në Bordin e Agjencisë për prokurim publik; për emërimin e anëtarëve në Bordin e Rregullatorit të energjisë; si dhe për emërimin e anëtarëve në Këshillin e Agjencisë kundër korrupsionit.
Do të shqyrtohet gjithashtu Rekomandimi i Komisionit për buxhet dhe financa lidhur me buxhetin e ART-së për vitin 2006, përgjigjja e ministres, Melihate Tërmkolli, në kërkesën për interpelancë të Grupit Parlamentar të PDK-së, si dhe propozimi i Rendit të ditës për seancën plenare më 23 shkurt 2006.
Kryesia ka vendosur për shpalljen e konkursit për sekretar të Kuvendit të Kosovës, kurse lidhur me propozimin për ndarjen e mjeteve për financimin e partive politike të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës për vitin 2006, anëtarët e Kryesisë kanë kërkuar një afat kohor për ta analizuar atë, para se ta miratojnë.