Lajmet e fundit
Të premten zgjedhet kryetari i ri i Kosovës
, 09.02.2006
Kryesia e Kuvendit të Kosovës, në mbledhjen e saj të drejtuar nga Nexhat Daci, kryetar, ka vendosur që Seanca solemne për zgjedhjen e kryetarit të ri të Kosovës të mbahet ditën e premte, më 10 shkurt 2006, duke filluar në orën 11.00.
Sipas kërkesave të grupeve parlamentare
Vendimi është marrë në bazë të kërkesave të pesë grupeve parlamentare, kurse gojarisht, e ka dhënë pëlqimin edhe grupi i gjashtë parlamentar që vepron në Kuvendin e Kosovës, ai i PDK-së. Diskutabile ka qenë vetëm dita dhe ora e mbajtjes së seancës, sepse ka pasur kërkesa që seanca të mbahet që sot, për çka nuk ka pasur mundësi teknike për përgatitjen e seancës.
Shprehet bindja se Sejdiu do të zgjedhet që në raundin e parë
Kryeparlamentari Daci është shprehur optimist se kandidati i LDK-së, zotëri Fatmir Sejdiut, do të zgjedhet për kryetar të Kosovës që në raundin e parë, që do të jetë mesazh i mirë për KS të OKB-së, për Grupin e Kontaktit dhe për gjithë bashkësinë ndërkombëtare.
Shqyrtohet financimi i partive politike
Kryesia, po në këtë mbledhje ka shqyrtuar edhe raportin e Komisionit për Buxhet dhe Financa për ndarjen e mjeteve për financimin e partive politike të përfaqësuara në Kuvend. Kryetari i Komisionit, Naser Osmani, ka shkoqitur para Kryesisë së Kuvendit propozimin e komisionit, të cilin e udhëheq, që 50 për qind e mjeteve prej 1.901.782 euro, të dedikuara për financimin e subjekteve politike parlamentare, të ndahen proporcionalisht, sipas numrit të deputetëve në Kuvend, kurse 50 për qind të ndahen sipas numrit të votave të fituara të subjekteve politike në zgjedhjet e fundit parlamentare.
Megjithëse sipas kësaj metodologjie të ndarjes së mjeteve, dilnin të fituara partitë e mëdha dhe humbnin partitë e vogla dhe atë të minoriteteve (që kanë vende të rezervuara në Kuvend), ka dominuar bindja se fitimi i partive të mëdha do të ishte më i vogël se dëmi që do t’i bëhej imazhit të Kosovës në këto momente vendimtare për statusin e vendit.
Mbështetet modeli i vitit të kaluar
Anëtarët e Kryesisë kanë mbështetur variantin që mjetet për financimin e partive politike të ndahen sipas numrit të deputetëve në Kuvendin e Kosovës (120), sikurse edhe vitin e shkuar, që përkonte edhe me qëndrimin e OSB-së, i shprehur në një letër që u është adresuar anëtarëve të Kryesisë të Kuvendit të Kosovës.