Lajmet e fundit

Mbledhja e Komisionit Parlamentar për Buxhet dhe Financa

, 09.02.2006




Shqyrtimi i Projektligjit për Ushqimin, me raportin e Komisionit funksional-Komisioni për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis dhe Planifikim Hapësinor dhe raportin e Komisionit për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale, si komision i interesuar, me amendamente, shqyrtimi i Projektligjit për përdorimin e gjuhëve në Kosovë, me raportin е komisionit funksional - Komisioni për Shërbime Publike, Administratë Lokale dhe Media, me amendamente, si dhe amendamentet nga Partia Demokratike Turke e Kosovës, shqyrtimi i Projektligjit për kujdesin shëndetësor emergjent, me raportin e Komisionit funksional-Komisioni për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale, me amendamente, ishin tema themelore të mbledhjes së sotme të Komisionit për Buxhet dhe Financa të Kuvendit të Kosovës, të kryesuar nga Naser Osmani, kryetar i Komisionit, e ku merrnin pjesë edhe përfaqësuesit e ministrive përkatëse, që kanë të bëjnë me këto fushë veprimtari .

Vëmendja e diskutuesve u përqendrua sidomos në çështjen se çfarë janë implikimet buxhetore gjatë zbatimit të këtyre ligjeve të ardhshme, në mënyrë që gjatë amendamentimit të kihet para sysh sa a mundet buxheti edhe ashtu shumë i kufizuar i Kosovës t’ i përballojë ato shpenzime. Në frymë të kësaj qasjeje u theksua se sponzoruesit nuk kanë treguar kujdes të duhur që të specifikojnë shpenzimet që do të pasojnë me rastin e zbatimit të ligjeve. Ata nuk kanë bërë llogari herë- herë as më të përafërta për disa pozicione, siç është numri i të punësuarve të rinj, institucionet që parashihen të themelojnë etj. Ishte qëndrim unanim se për këto projektligje duhet të jepen kosto të sakta të shpenzimeve, në mënyrë që të mos ndodhë që ligji të aprovohet, por kur vjen puna për ta zbatuar në praktikë, ai nuk mund të sendërtohet. U zu në gojë fakti se kostoja e paraparë prej diçka më shumë se dy milionë euro për zbatimin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve, as për së afërmi nuk i përgjigjet realitetit. Me këtë projektligj po e zëmë nuk ishte precizuar se sa punëtorë do të shtohen në arsim, ndërsa dihet sa aplikimi i ligjit do të kërkonte të ardhura për arsimtarët e rinj. Vërejtje për përcaktim më të saktë të kostos buxhetore u dhanë edhe për dy projektligjet tjera.

Nga kryetari i komisionit u dha edhe një pasqyrë e planit të punës për këtë vit të këtij Komisioni, në frymë të dinamizmit të veprimtarisë . Në qendër të vëmendjes u tha se duhet të jenë sidomos ligjet nga financat dhe ekonomia, por edhe çështja se si po zbatohen ligjet.
Mbledhja e Komisionit Parlamentar për Buxhet dhe Financa