Lajmet e fundit

Fjala e kryetarit të Kuvendit të Kosovës, akademik Nexhat Daci, në mbledhjen plenare të Kuvendit të Kosovës, për zgjedhjen e kryetarit të Kosovës, 10 shkurt 2006

, 10.02.2006




E nderuara dhe e respektuara familje e Presidentit të Kosovës, dr. Ibrahim Rugova

Të nderuar përfaqësues të Bashkësive fetare të Kosovës, i nderuari myftiu Tërnava, të nderuar përfaqësues të Kishës Katolike

Të nderuar deputetë

Të nderuar përfaqësues të misionit ndërkombëtar në Kosovës dhe të zyrave diplomatike

Të nderuar përfaqësues të shkencës, dijes, artit dhe të mbrojtjes dhe të sigurisë

Të nderuar mysafirë, që me prezencën Tuaj i keni dhënë një karakter më manifestiv kësaj mbledhjeje

Mbledhja e sotme e Kuvendit të Kosovës do të dëshmojë si shumë herë të tjera, unitetin e popullit të Kosovës, unitetin e përfaqësuesve politik dhe institucional që të jenë si gjithherë së bashku dhe në lartësinë e duhur të përgjegjësisë dhe të detyrave që dalin nga vota e popullit.

Ne sot do të zgjedhim kryetarin e Kosovës, simbolin e unitetit të popullit dhe kështu, do të dëshmojmë punën dinjitoze institucionale në ndërtimin e strukturave shtetërore të Kosovës.

Vdekja e presidentit të parë të Kosovës, dr. Ibrahim Rugova, të liderit shpirtëror e historik të popullit të Kosovës, i cili me aq urti dhe mençuri diti të na udhëheqë tash e gjashtëmbëdhjetë vjet në rrugën tonë të sigurt drejt pavarësisë së vendit, është një humbje shumë e madhe për të gjithë ne, në këto momente vendimtare për fatin tonë. Kjo na obligon të gjithëve që të shkojmë përpara, që të ndërtojmë Kosovën - shtet të pavarur e sovran, shtet të anëtarësuar në Bashkimin Evropian dhe të integruar në strukturat veriatlantike, në miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Zgjedhja e Kryetarit të Kosovës sot dëshmon përkushtimin tonë serioz për punë institucionale, dëshmon besimin dhe vullnetin tonë që së bashku me ndihmën e bashkësisë ndërkombëtare të ndërtojmë një vend normal të sundimit të ligjit, të jetësimit të parimeve demokratike, ku të gjithë qytetarët, pa dallim, do të kishin liri dhe të drejta të barabarta dhe ku të gjithë ne do të aspironim një të ardhme të lumtur në Kosovën tonë, ku mund të jetojmë, të punojmë, të shkollohemi, të kemi një prosperitet e zhvillim ekonomik të lakmueshëm dhe ku fëmijët tanë dhe gjeneratat e ardhshme do të kenë të gjitha parakushtet për një jetë dinjitoze e të rehatshme, për të cilën me shekuj vepruan dhe u sakrifikuan djemtë dhe vajzat më të mira të popullit tonë, në përpjekjet e pareshtura për çlirim, që kulmuan me luftën e lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës..

Të nderuar deputetë

Jam i sigurt se zgjedhja e sotme e Kryetarit të Kosovës do të jetë një interes madhor i vënë mbi interesat partiake, do të jetë personaliteti unifikues në Kosovë, reprezentues i denjë i interesave më sublime të popullit të Kosovës, i të gjithë qytetarëve të saj pa dallim

Ju faleminderit