Lajmet e fundit

Fatmir Sejdiu u zgjodh kryetar i Kosovës

, 10.02.2006




Deputetët e Kuvendit të Kosovës, në një Seancë solemne dhe në prani të kryeministrit Kosumi dhe ministrave të Qeverisë së Kosovës, të PSSP-së, Petersen, të Korit diplomatik në Prishtinë, të përfaqësuesve të Bashkësive fetare, të TMK-së, SHPK-së dhe të institucioneve të tjera, zgjodhën sot dr. prof. Fatmir Sejdun, kryetar të Kosovës.

Zotëri Sejdiu, i cili ishte kandidati i vetëm për kryetar të Kosovës, i nominuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës, është zgjedhur në ruandin e tretë të zgjedhjeve, me 80 vota për, ose dy të tretat e numrit të përgjithshëm të deputetëve në Kuvendin e Kosovës.

Seancën solemne për zgjedhjen e kryetarit të Kosovës e ka drejtuar kryeparlamentari Daci, kurse arsyetimin për nominimin e zotit Sejdiu për kryetar të Kosovës e ka bërë nënkryetari i LDK-së, Kolë Berisha, i cili deputetëve u ka përkujtuar jetëshkrimin e ngritjes shkencore dhe të veprimtarisë politike të kandidatit për kryetar të Kosovës, Fatmir Sejdiu.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi u është drejtuar deputetëve, duke bërë me dije se PDK-ja, megjithëse ka të drejtë kushtetuese, për hir të momentit nëpër të cilin po kalon Kosova, nuk ka nominuar kandidat për kryetar të Kosovës, nga radhët e PDK-së.

Fatmir Sejdiu u zgjodh kryetar i Kosovës