Lajmet e fundit

Kryeparlamentari Daci priti shefin e ri të Misionit të Shqipërisë, ambasadorin Bujar Muharremi

, 16.02.2006




Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Nexhat Daci, ka pritur sot shefin e ri të Misionit të Shqipërisë në Kosovë, ambasadorin Bujar Muharrimi, me të cilin ka biseduar për procesin nëpër të cilin po kalon Kosova dhe për bashkëpunimin gjithëpërfshirës ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë.

Profesor Daci e ka vlerësuar të shkëlqyer bashkëpunimin ndërmjet të dy kuvendeve, sidomos ka pohuar kontributin e profesor Pëllumbit dhe pasueses së tij, zonjës Topalli. Ai, ndërkaq, është shprehur se duhet të bëhet më shumë në planin ndërqeveritar dhe është angazhuar për thellimin e bashkëpunimi në të gjitha fushat e jetës, sidomos në ekonomi, shkencë dhe kulturë.

Është biseduar edhe për çështje të sigurisë dhe të bashkëpunimit rajonal e të relaksimit të raporteve, duke theksuar dëshirën e mirë që Shqipëria dhe Kosova të jenë faktorë të stabilitetit në Ballkan.

Kryeparlamentari Daci, me këtë rast, ka falënderuar për pjesëmarrjen e delegacionit të Shqipërisë në varrimin e presidentit Rugova.

Në këtë takim të parë me kryeparlamentarin Daci, shefi i Misionit të Shqipërisë në Kosovë, ambasadori Bujar Muharremi, ka vlerësuar rolin personal të zotit Daci në krye të Kuvendit të Kosovës. Vitin 2006 ai e ka vlerësuar vit historik për Kosovën dhe shqiptarët, vit vendimtar në të cilin do të përcaktohet pavarësia e vendit. Në këtë kohë, ka thënë Muharremi, duhet të forcohen edhe më institucionet demokratike të Kosovës dhe të thellohet bashkëpunimi me bashkësinë ndërkombëtare.

Bashkëbiseduesit janë pajtuar se bashkëpunimi ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës është më i varfër se vullneti dhe resurset e të dy vendeve dhe se ka hapësira të pashfrytëzuara për thellimin e bashkëpunimit në të gjitha fushat e jetës.
Kryeparlamentari Daci priti shefin e ri të Misionit të Shqipërisë, ambasadorin Bujar Muharremi