Lajmet e fundit

Komisioni për Bashkëpunim Ndërkombëtar debaton për bisedimet për statusin

, 20.02.2006




Komisioni për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Integrime Evroatlantike, në mbledhjen e sotme, të drejtuar nga Sabri Hamiti, kryetar i komisionit, ka debatuar për bisedimet për statusin, duke i sheshuar të arriturat, por edhe të metat e gjithë segmenteve të Grupit Negociator të Kosovës në punën e deritashme.

Në takim është thënë se ky vit është vendimtar për ardhmërinë e vendit dhe sidomos vit i përgjegjësisë së institucioneve të Kosovës dhe i Grupit Negociator për statusin e vendit. Është pohuar gjithashtu se nuk është strukturuar institucionalisht Grupi Negociator i Kosovës; se Komisioni për Bashkëpunim Ndërkombëtar edhe Kuvendi i Kosovës duhet të informohen rregullisht për rrjedhat dhe rezultatet e bisedimeve, sepse është thënë në takim, Kuvendi është instanca e fundit korrigjuese.

Komisioni është pjekur t’i marrë të gjitha përgjegjësitë dhe vihet në shërbim të bisedimeve për çështjen e statusit, është theksuar në takim.

Kryetari i Komisionit, Hamiti, i ka njoftuar pjesëmarrësit e takimit se në muajin mars, në Zagreb, do të mbahet mbledhja e komisioneve parlamentare për integrim në Unionin Evropian, në të cilën është ftuar të marrë pjesë.

Në këtë vit vendimtar të përcaktimit të statusit është vlerësuar shumë e nevojshme të vihen kontakte dhe të vizitohen parlamentet, sidomos ato të vendeve të Rajonit.
Komisioni për Bashkëpunim Ndërkombëtar debaton për bisedimet për statusin