Lajmet e fundit

Kryesia përcakton rendin e ditës për dy seancat plenare

, 20.02.2006




Kryesia e Kuvendit të Kosovës, në mbledhjen e saj të drejtuar nga Nexhat Daci, kryetar, ka përcaktuar rendin e ditës për dy seancat e ardhshme plenare të Kuvendit të Kosovës.

Në seancën e 23 shkurtit do të shqyrtohen për herë të dytë: Projektligji për arsimin dhe aftësimin profesional, ai për Trashëgiminë kulturore, ai për Themelimin e Institutit gjyqësor të Kosovës, pastaj Projektligji për kujdesin shëndetësor emergjent, ai për Markat tregtare, ai për Ushqimin, si dhe ai për Të drejtat e pjesëtarëve të luftës së UÇK-së, familjeve të dëshmorëve dhe viktimave civile të luftës. Do të shqyrtohet edhe Raporti i Komisionit për Bujqësi, Mjedis dhe Planifikim Hapësinor lidhur me Projektligjin për banim.

Për herë të parë, ndërkaq, do të shqyrtohen: Projektligji për botimin e teksteve shkollore, mjeteve mësimore dhe dokumenteve pedagogjike, ai për Mbrojtjen nga fatkeqësitë natyrore dhe fatkeqësitë tjera, si dhe ai për Emërimin e anëtarëve në Këshillin e Agjencisë kundër Korrupsionit.

Kryesia ka shprehur brengosje për vonesën e zhbllokimit të rrugës Prishtinë-Shkup, duke i theksuar edhe humbjet e mëdha që i shkaktohen ekonomisë së vendit dhe buxhetit të e Kosovës nga ky bllokim i arteries kryesore të Kosovës. Njëherësh i bën apel Qeverisë së Kosovës që t’i angazhojë të gjitha kapacitetet ekzistuese për zhbllokimin e rrugës.

Kryesia ka kërkuar nga LDK-ja që ta nominojë kandidatin e saj për anëtar Kryesie, duke e lënë mundësinë që kjo të bëhet edhe në fillim të seancës së 23 shkurtit.

Sa i përket kërkesës së Partisë Demokratike Serbe lidhur me emërimin e anëtarit të saj në Kryesi është parë e udhës që paraprakisht të bisedohet me UNMIK-un dhe OSBE-në dhe çështja të vendoset në seancën vijuese të 16 marsit.

Në seancën e marsit është paraparë të shqyrtohen edhe gjashtë projektligje të tjera, si dhe informata e delegacionit të Kosovës lidhur me bisedimet e Vjenës (sipas kërkesës së deputetit Emrush Xhemajli dhe miratimit parimor nga seanca plenare me 15 shkurtit, 2006).

Kryesia në mbledhjen e sotme ka shqyrtuar edhe një varg kërkesash të komisioneve, të grupeve parlamentare dhe të deputetëve të veçantë, që kanë të bëjnë me funksionalizimin e punës në Kuvend, me financimin e subjekteve politike a kompensim shpenzimesh të udhëtimeve zyrtare të deputetëve në vende të ndryshme të botës.
Kryesia përcakton rendin e ditës për dy seancat plenare