Lajmet e fundit
Daci dhe Hamiti presin delegacionin e Parlamentit Evropian
, 20.02.2006
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Nexhat Daci dhe kryetari i Komisionit për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Integrime Euroatlantike, Sabri Hamiti, kanë pritur sot bashkë një delegacion të Parlamentit Evropian, të kryesuar nga zonja Doris Pack. Është biseduar për zhvillimet në Kosovës, për procesin e kthimit të besimit ndëretnik në Kosovë dhe për bashkëpunimin e institucionet e Kosovës me institucionet evropiane tash dhe në të ardhmen.
Kosova është pakthyeshëm në rrugën e realizimit të pavarësisë së vendit
Kryeparlamnetari Daci duke folur duke folur për zhvillimet në Kosovë, momentin aktual politik e ka vlerësuar më relaksues se kurrë, me gjithë faktin që Kosova ka kohë më parë, ka pësuar tragjedi duke humbur emblemën e saj n rrugën e pavarësisë, presidentin Rugova, ka thënë kreu i Kuvendit. Ai ia ka bërë të qartë delegacionit të Parlamentit Evropian se Kosova është pakthyeshëm në rrugën e realizimit të pavarësisë së vendit dhe se këtë e kanë për qëllim të gjitha subjektet politike të Kosovës, pos ato serbe.
Kosova i plotëson të gjitha kushtet për të qenë një vend normal ballkanik
Kreu i legjislativit të vendit është shprehur i bindur se Kosova i plotëson të gjitha kushtet për të qenë një vend normal ballkanik. Ai ka theksuar se institucionet e Kosovës janë të gatshme t’i marrin përgjegjësitë që u takojnë dhe do t’i ratifikojnë të gjitha dokumentet e nevojshme ndërkombëtare. Daci e ka garantuar zonjën Pack se edhe pas statusit do të ketë prani ndërkombëtare ushtarake dhe civile në Kosovë, por jo edhe administratorë dhe guvernatorë.
Parlamenti Evropian për t’i qëndruar pranë Kosovës
Europarlamentarja Doris Pack është shprehur se vjen në Kosovë për të dëshmuar përkushtimin e Parlamenti Evropian për t’i qëndruar pranë Kosovës. Ajo ka thënë se vizita e delegacionit ka të bëjë edhe me verifikimin se si dhe me ç’efikasitet shfrytëzohen në Kosovë mjetet e taksapaguesve evropianë.
Pack përgëzon për zgjedhjen e shpejtë të kryetarit të ri të Kosovës
Zonja Pack ka përgëzuar për zgjedhjen e shpejtë dhe të lehtë të kryetarit të ri të Kosovës dhe e ka pranuar se ka pasur shqetësim se si do ta zgjedhet trashëgimtari i Rugovës. Ajo pastaj është përqendruar në implementimin e ligjeve dhe krijimin e besimit ndërmjet të komuniteteve në Kosovë.
Deputetë serbë janë të penguar të marrin pjesë në punimet e Parlamentit
Kryeparlamentari Daci ka pohuar se Kosova megjithëse e krijon vetë buxhetin e saj, nuk e menaxhon atë, se rreth gjysma e ligjeve të miratuar nuk gjejnë zbatim, për shkak të disa dokumenteve që nuk janë në dorë të institucioneve të Kosovës dhe se tetë deputetë serbë ( tetë nga dhjetë prej tyre) janë të penguar të marrin pjesë në punimet e Parlamentit.
Liberalizim vizash për studentët e Kosovës dhe komunikim kulturor dhe shkencor me universitetet evropiane
Kryetari i Komisionit për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Integrime Euroatlantike, Sabri Hamiti, në fjalën e tij është përqendruar në lidhjet historike kulturore të shqiptarëve me Perëndimin dhe në këtë vështrim ka spikatur rëndësinë e bashkëpunimit gjithëpërfshirës me vendet e Unionit Evropian. Ai madje ka kërkuar liberalizim vizash për studentët e Kosovës dhe komunikim kulturor dhe shkencor me universitetet evropiane.