Lajmet e fundit

Kryeparlamentari Daci priti zëvendësin e PSSP-së, Lary Rossin

, 21.02.2006




Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Nexhat Daci, ka pritur sot në një takim lamtumirës zëvendësin e Përfaqësuesit Special të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së në Kosovë, zotëri Lary Rossin.

Daci ka shprehur konsideratat më të larta për ndihmën e zotit Rossin dhënë Kosovës dhe institucioneve të saj demokratike. Ardhja e zotit Rossin në Kosovë, për ta përkrahur kryeadministratorin Petersen, ka qenë injeksioni më i mirë i mundshëm për institucionet e Kosovës, u ka thënë Daci gazetarëve pas takimit. Ai ka theksuar sidomos kontributin e zotit Rossin në zgjedhjen e qeverisë Haradinaj dhe rolin e tij shumë njerëzor në përkrahjen e qytetarëve të Kosovës duke e ndihmuar drejtësinë dhe politikën.

Në ditën e festës së madhe që do ta ketë Kosova, me rastin e pavarësisë së saj, zoti Rossin e ka ftesën publike që të jetë bashkë me ne në ato momente, për të festuar edhe kontributin e tij, është shprehur kreu i legjislativit të vendit, i cili diplomatit amerikan i ka uruar shëndet të mirë dhe punë të suksesshme në misionin e tij të ri në Haiti.

Zëvendës kryeadministrtatori i Kosovës, Lary Rossin është shprehur optimist për të ardhmen e Kosovë, të cilën e ka quajtur shtëpi të tij të dytë. Ai është shprehur i bindur se Kosova gjendet në rrugë të mbarë, se Grupi Negociator i Kosovës dhe segmentet e tij negociuese do të jenë në krye të detyrës për të realizuar vullnetin e popullit të Kosovës. Rossin ka vlerësuar gjithashtu se vendi do të ketë zhvillim të pandalshëm demokratik dhe se do t’i përmbush me sukses standardet e brendshme dhe ato ndërkombëtare dhe do të ecën i sigurt në rrugën integrimeve e të përparimit.
Kryeparlamentari Daci priti zëvendësin e PSSP-së, Lary Rossin