Lajmet e fundit

Kryeparlamentari Daci priti ambasadorin e Japonisë në Beograd, Tadashi Nagai

, 23.02.2006




Kryetari i Kuvendit të Kosovës,Nexhat Daci, ka pritur sot, ambasadorin e Japonisë në Beograd, z. Tadashi Nagai dhe ka biseduar me të për zhvillimet në Kosovë në kohën e fillimit të bisedimeve për statusin dhe për mundësitë e bashkëpunimit ndërmjet të dy vendeve, sidomos të investimeve japoneze në Kosovë.

Kryeparlamentari Daci e ka falënderuar Qeverinë e Japonisë për mbështetjen e Radiotelevizionit të Kosovës në planin e teknologjisë së përparuar televizive dhe për ndihmat dhënë popullsisë së Drenicës në periudhën e pasluftës. Daci është shprehur i bindur se Kosova është e përgatitur për statusin e pavarësisë dhe ka theksuar synimin e qartë të institucioneve të Kosovës për të ndërtuar një shtet normal demokratik, me të gjitha garancitë për zhvillim të papenguar të të gjithë qytetarëve, pavarësisht nga përkatësia etnike dhe fetare e tyre.

Ambasadori i Japonisë në Beograd, Tadashi Nagai ka theksuar rëndësinë që i jep vendi i tij qetësisë dhe stabilitetit të Kosovës e të rajonit, prandaj edhe zgjidhjes me bisedime të statusit të Kosovës.

Të dy bashkëbiseduesi janë pajtuar se ka mundësi të gjëra të bashkëpunimit ndërmjet të dy vendeve, sidomos të investimeve ekonomike japoneze në Kosovë.

Në këtë vështrim kreu i legjislativit të vendit i ka parë me interes sidomos investimet në metalurgjinë e ngjyrosur në “Trepçë” dhe në lëmin e elektro energjetikës së Kosovës.
Kryeparlamentari Daci priti ambasadorin e Japonisë në Beograd, Tadashi Nagai