Lajmet e fundit
Dëgjim publik në Komisionin Parlamentar për Legjislacion...
, 28.02.2006
Komisioni për Çështje Gjyqësore, Legjislacion dhe Kornizë Kushtetuese, i Kuvendit të Kosovës, kryesuar nga Hydajet Hyseni, kryetar i Komisionit, mbajti sot një dëgjim publik lidhur me Projektligjin civil kundër shpifjes dhe fyerjes, i cili tashmë është miratuar në parim nga ana e Kuvendit të Kosovës. Në këtë dëgjim publik, ku merrnin pjesë përfaqësues të Kryeministrisë, të UNMIK-ut, të OSBE-së, Komisioneri i Pavarur për Media, si dhe përfaqësues e ekspertë të tjerë të institucioneve vendëse, u theksua se hartimi dhe hyrja në procedurë e këtij Projektligji është një nismë shumë e mbarë, si një synim për dekriminalizim në këtë lëmë, që është në funksion të humanizimit të marrëdhënieve ndërnjerëzore. Qëllimi i këtij Projektligji, por edhe i debatit ishte si të gjendet një baraspeshë ndërmjet lirisë së shprehjes dhe ruajtjes së personalitetit të individit, duke vënë në dukje së shpifja dhe fyerja nuk ka të bëjë vetëm me prezantimet në media, por edhe me ato që ngjajnë në segmente të tjera të shoqërisë. Ndërsa sa i përket një propozimi që fyerja të hiqet tërësisht në Projektligji, u tha se kjo nuk është mirë të hiqet nga Projektligji, sepse fyerja nganjëherë është edhe më e rëndë se lëndimi trupor.
Në këtë aspekt duhet marrë parasysh edhe rrethanat e mjedisit dhe traditën.
Projektligji është hartuar nga ekspertë të njohur vendës dhe ndërkombëtarë dhe përfill standardet evropiane, në zgjidhjet që përmban, mirëpo debati synonte që ky Projektligj të përsoset edhe më, duke dhënë edhe mjaft propozime konkrete. Vëmendja e diskutuesve u përqendrua edhe në atë se a janë të qarta, përkatësisht sa termat shpifje dhe fyerje korrespondojnë me kuptimet që japin për këto nocione fjalët përkatëse në gjuhën angleze dhe në atë serbe.
Në frymë të kësaj ata u angazhuan që në procesin e mëtejmë të amendamentimit të jepen përkufizime sa më të qarta e kuptimplote lidhur me këto dy nocione.