Lajmet e fundit

Komisioni Legjislativ hamendet për kandidatët e KGJK-së

, 06.03.2006




Komisioni për çështje Gjyqësore Legjislacion dhe Kornizë Kushtetues, në mbledhjen e drejtuar nga Hydajet Hyseni, kryetar i komisionit, ka shqyrtuar edhe njëherë listën e kandidatëve për anëtarë të Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe nuk ka mundur t'i rekomandojë katër nga katërmbëdhjetë kandidatët e propozuar për anëtarë të KGJK-së.

Këshillin Gjyqësor të Kosovës prej njëmbëdhjetë anëtarësh, katër nga të cilët duhet t'i rekomandojë Kuvendi i Kosovës (tre gjyqtarë dhe një prokuror) i emëron Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së në Kosovë.

Anëtarët e Komisionit kanë pasur vërejtje për instrumentalizimin e disa gjyqtarëve dhe të prokurorëve të Kosovës nga regjimi i Millosheviqit (në vitet 90-a), kurse për ndonjërin kandidat të propozuar kanë konstatuar se nuk ka punuar në gjykata por në Organet e Sigurimit Shtetëror të Serbisë për Kosovë.

Njëri nga anëtarët e Komisionit madje kishte sjellë një grumbull dokumentesh të nënshkruara nga një kryetare e gjykatës, të cilët dëshmonin se kandidatja e propozuar vendimet gjyqësore i kishte sjellë në bazë të politikës diskriminuese të regjimit serb në Kosovë. Për të njëjtën kandidate, një anëtarë tjetër pohonte se i kishte miratuar mbi 80 vendime gjyqësore në dobi të shqiptarëve.

Duke mos gjetur rrugëdalje nga kjo pozitë e vështirë në të cilën ishte vënë Komisioni, ndonjëri nga anëtarët ka kërkuar shtyrjen e miratimit të rekomandimeve për kandidatët e KGJK-së edhe për dy ditë të tjera. Ndonjëri ka propozuar që Komisioni të propozojë kandidatë të tjerë (pa njolla të zeza në biografinë profesionale të gjyqtarëve dhe të prokurorëve), kurse një anëtarë tjetër madje ka pohuar se edhe pse është i bindur se nuk mund të ndryshohet gjë në përbërjen e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, së paku të propozohen kandidatë të tjerë „sa për ta larë ndërgjegjen“.

Është vendosur që çështja e KGJK-së të shqyrtohet edhe një herë të enjten e ardhshme.

Po në mbledhjen e sotme Komisioni për Çështje Gjyqësore Legjislacion dhe Kornizë Kushtetues ka shqyrtuar tre projektligje nga aspekti i bazës juridike në Kornizën Kushtetuese dhe ka propozuar që komisionet funksionale të amendamentojnë Projektligjin për mbrojtjen nga zjarri dhe Projektligjin për mbrojtjen nga fatkeqësitë natyrore dhe fatkeqësitë tjera. Ka pasur vërejtje, ndërkaq, se Projektligjit për botimin e teksteve shkollore, mjeteve mësimore dhe dokumenteve pedagogjike, i mungojnë preambula dhe dispozitat përfundimtare.

Komisioni Legjislativ hamendet për kandidatët e KGJK-së