Lajmet e fundit
Nga mbledhja e jashtëzakonshme e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës
, 07.03.2006
Kryesia e Kuvendit të Kosovës e drejtuar nga Nexhat Daci, kryetar , në mbledhjen e saj të mbajtur sipas kërkesës së disa grupeve parlamentare, ka shqyrtuar mundësitë për mbajtjen e seancës së jashtëzakonshme, në të cilën do të miratohej Qeveria e re e Kosovës dhe do të bëheshin ndryshimet e kërkuara në kreun e Kuvendit dhe në Kryesi.
Grupi parlamentar i AAK-së, ai për Integrim dhe ai 6+ kanë kërkuar që të enjten, më 9 mars të mbahet seanca e jashtëzakonshme për miratimin e Qeverisë Çeku, kurse Grupi parlamentar i LDK-së ka kërkuar që deputeti Sabri Hamiti të zgjidhet anëtar i Kryesisë në vend të zotëri Fatmir Sejdiut, i cili është zgjedhur kryetar i Kosovës. Grupi parlamentar i LDK-së ka kërkuar edhe zëvendësimin e anëtarit të Kryesisë dhe të kryetarit të Kuvendit të Kosovës zotëri Nexha Daci me zotëri Kolë Berisha, deputet i Kuvendit të Kosovës.
Anëtarët e Kryesisë janë pajtuar që të procedohet me seancën e jashtëzakonshme dhe kanë vendosur që Kuvendi të mblidhet të premten, nëse në ndërkohë arrin lista e Kabinetit qeveritar të kandidatit të nominuar për kryeministër, zotëri Agim Çeku.
Është thënë gjithashtu se në të njëjtën seancë do të zgjidhet kryetari i ri i Kuvendit të Kosovës, zotëri Kolë Berisha dhe anëtari tjetër i Kryesisë nga radhët e LDK-së, zotëri Sabri Hamiti.
Në funksion të përgatitjes me kohë të kësaj seance, kryeparlamentari Daci ka kërkuar që anëtarët e Kryesisë të jenë në gjendje gatishmërie.
Në mbledhjen e sotme të Kryesisë është shqyrtuar edhe kërkesa e Grupit parlamentar të AAK-së për seancë të veçantë lidhur me Raportimin e delegacionit të Kosovës në bisedimet e Vjenës; kërkesa e Grupit parlamentar të PDK-së për shqyrtim të veçantë në seancë plenare të çështjes së implementimit të standardeve dhe të procesit të privatizimit; si dhe kërkesa e Grupit parlamentar “Për integrim”për emërimin e anëtarëve në komisionet parlamentare. Në fund të takimit kryeparlamentari Daci para anëtarëve të Kryesisë e ka lexuar një letër, në të cilën shpërfaqet qëndrimi i tij ndaj disa akuzave të lansuara në media nga individë të caktuar, që tentojnë ta lëndojnë politikisht dhe moralisht kreun aktual të Kuvendit të Kosovës.
Përmbajtjen e letrës, të cilën Daci e ka lexuar edhe para gazetarëve, po ua përcjellim të plotë:
Po e shfrytëzojë këtë rast të paraqitjes para mediave, sepse e ndiej për obligim, jo vetëm moral, por para se gjithash politik t’ i demantojë disa akuza kinse për një qëndrim antiamerikan timin dhe kinse për nxitje të ndjenjave të këtilla në opinion, sepse po mos të thuhet e vërteta e plotë tash konsideroj se do të na sillte shumë dëm.
Edhe një herë po them, sikurse që e kam përsëritur gjithmonë, se vetëm Zoti e Shtetet e Bashkuara të Amerikës e shpëtuan popullin tonë nga shfarosja. Domosdo kuptohet se përpjekjet shekullore për liri e pavarësi, angazhimi i njerëzve më të mirë që dhanë kontribut në të gjitha fushat e jetës dhe të punës, përkushtimi i pamohueshëm e flijimi për idealet e demokracisë para se gjitha lufta e lavdishme e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, janë ato që bënë që na të kemi përkrahjen e SHBA-ve, të NATO-s, të Bashkimit Evropian dhe të mbarë bashkësisë ndërkombëtare.
Të përmendi vetëm një fakt.
Ju e dini se SHBA - ja gjatë bombardimeve të NATO-s shpenzuan më shumë se 12 miliard dollarë për Kosovën, ndërsa pas çlirimit, në format e ndryshme, japin ndihmë konkrete në Kosovë në shumë 600 milionë dollarë në vit , që është gati sa edhe gjithë buxheti i Kosovës. Kundërshtarët e mi politikë , duke dashur edhe shkatërrimin tim moral dhe njerëzor,e nisën me qëllim këtë fushatë duke mos pasur argument tjetër për largimin tim nga skena politike që t’ i realizojnë qëllimet e veta karrieriste. Emisarët nga Kryesia e LDK-së që e kërkuan dorëheqjen time, thanë se kjo është kërkesë e Zyrës së SHBA-ve në Kosovë. U thashë se kjo nuk është e vërtetë dhe nuk mund të jetë e vërtetë, sepse ky mund të jetë interes privat i ndonjë qytetari amerikan e kurrsesi i politikës zyrtare të SHBA-ve, me të cilën kishim e kemi bashkëpunim shumë të frytshëm. Kjo edhe ishte dhe është arsyeja që nuk pranova dhe nuk pranoj të jap dorëheqje, sepse në këtë mënyrë do të njollosja veten, familjen time, Kuvendin dhe gjithë Kosovën.
E vërteta doli pikërisht kështu dhe ju tashmë i keni reagimet edhe të Stejt Departamentit edhe të Zyrës Amerikane në Kosovë.
Tash jam i qetë dhe i gatshëm të ballafaqohem me kundërshtarët e mi politik brenda LDK-së dhe t’ i dëgjoj arsyet e vërteta për largimin tim e jo arsyet e shpifura. Kjo më bën të ndjehem plot besim në vetvete, në miqtë e bashkëmendimtarët e mi, me të cilët e ndërtova karrierën time politike dhe së bashku do të vazhdojmë angazhimin dhe përkushtimin,me aq sa mundem e di, për të mirën e Kosovës dhe të popullit të saj.