Lajmet e fundit

Dëgjim publik lidhur me Projektligjin mbi shpronësimin me interes Publik

, 07.03.2006




Komisioni i Kuvendit të Kosovës për Ekonomi, Tregti, Industri, Energjetikë, Transport dhe Telekomunikacion, të cilin e kryesoi kryetari Fatmir Rexhepi, e mbajti sot një dëgjim publik lidhur me Projektligjin mbi shpronësimin me interes publik. Në diskutimin publik, përveç anëtarëve të Komisionit, morën pjesë edhe përfaqësuesit e Ministrisë së Energjetikës dhe Minierave, Ministrisë së Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor, Ministrisë së Transportit dhe Post-Telekomunikacionit, si dhe ata të Agjencisë Kosovare të Mirëbesimit dhe USAID-it.

Në diskutim e sipër, të gjithë të pranishmit u pajtuan se Kosovës i është shumë i nevojshëm një Ligj i tillë, i cili do të rregullonte me dispozita ligjore dhe do t’i bënte funksionale marrëdhëniet në këtë sferë. Në vazhdim u theksua se, në këtë sferë, deri tashti është zbatuar Ligji i vitit 1978, i cili në rrethanat e tashme është bërë i pazbatueshëm, sepse po shkakton mjaft probleme në terren.

Ky Projektligj i ka gjithsej 11 kapituj, është hartuar në përputhshmëri të plotë me standardet evropiane dhe mjaft mirë rregullon marrëdhëniet e pronës private, gjegjësisht çështjen se kur dhe në cilat rrethana prona private mund të shpronësohet apo, për arsye të interesit publik, të transformohet në pasuri publike.

Në fund të diskutimit publik lidhur me këtë Projektligj, u tha se Grupi i ekspertëve ka bërë një punë mjaft të mirë në hartimin tij dhe se i njëjti me pak ndryshime dhe plotësime mund të përmirësohet edhe më.
Dëgjim publik lidhur me Projektligjin mbi shpronësimin me interes Publik