Lajmet e fundit
Të premten votohet për Qeverinë Çeku
, 09.03.2006
Kryesia e Kuvendit të Kosovës, sot në orët e pasdites, ka diskutuar rendin e ditës për Seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës për votimin e Qeverisë Çeku dhe për ndryshime në udhëheqjen e Kuvendit të Kosovës.
Fillimisht do të procedohet me kërkesën e Grupit Parlamentar të LDK-së për zëvendësimin e anëtarit të Kryesisë dhe kryetar i Kuvendit të Kosovës, zotëri Nexhat Daci, me zotëri Kolë Berisha, deputet i Kuvendit të Kosovës, i cili do të jetë edhe anëtar i Kryesisë, si dhe zgjedhjen e deputetit Sabri Hamiti anëtar të kësaj Kryesie, në vend të zotëri Fatmir Sejdiut, i cili është zgjedhur kryetar i Kosovës.
Kryeparlamentari Daci, i cili e ka drejtuar mbledhjen, ka pohuar se në Grupin parlamentar të LDK-së janë marrë vesh për ndryshimet në kreun e Kuvendit dhe se zgjedhja e kryetarit të Kuvendit dhe të anëtarëve të Kryesisë do të bëhet me votë formale.
Anëtarët e Kryesisë kanë vlerësuar se janë plotësuar kushtet edhe për zgjedhjen e kryeministrit dhe të Qeverisë së Kosovës, pasi që Kryesisë së Kuvendit i ka arritur mandatimi (nga kryetari i Kosovës) i zotëri Agim Çekut për kryeministër të Kosovës, kurse mandatari ka dorëzuar në Kuvend përbërjen e qeverisë të cilën do ta udhëheq.
Seanca do të fillojë në orën 11.00.