Lajmet e fundit
Deputetët miratojnë ndryshime në kreun e Kuvendit dhe votojnë Qeverinë e re të Kosovës
, 10.03.2006
Seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës, e drejtuar nga deputeti Naim Maloku, ka zgjedhur sot për kryetar të Kuvendit të Kosovës deputetin Kolë Berisha, i cili do të jetë edhe anëtar i Kryesisë, si dhe deputetin Sabri Hamiti anëtar të kësaj Kryesie. Berisha dhe Hamiti, zëvendësojnë Nexhat Dacin dhe Fatmir Sejdiun, i cili kohë më parë është zgjedhur kryetar i Kosovës.
Fillimisht arsyetimin për këto ndryshime në kreun e Kuvendit të Kosovës i ka paraqitur kryetari i Grupit parlamentar të LDK-së, Alush Gashi, kurse pastaj për këtë çështje janë shprehur edhe shefat e partive opozitare PDK dhe ORA, zotërinjtë Thaçi dhe Surroi dhe shefat e grupeve parlamentare.
Kolë Berisha pasi është votuar për kryetar të Kuvendit të Kosovës ka falënderuar për besimin e dhënë dhe është zotuar se Kuvendin do të bëjë tribunë në të cilën do të dëgjohet fjala e lirë e deputetëve nga pozita dhe nga opozita.
Menjëherë pas kësaj zoti Berisha ka pasur një takim të shkurtë me anëtarët e Kryesisë, të cilëve u ka kërkuar bashkëpunim në funksion të mbarëvajtjes së legjislativit të vendit dhe përmbushjes së vullnetit politik të popullit të Kosovës.
Berisha në pauzë të punimeve të Kuvendit ka pritur përfaqësuesin Special të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së në Kosovë, Soren Jessen – Petersen, nga i cili ka marrë përgëzime për detyrën me përgjegjësi që ka marrë në këtë moment shumë të rëndësishëm për Kosovën.
Kryeadministratori i Kosovës, Petersen pas përfundimit të takimit është shprehur para gazetarëve se klasa politik e Kosovës, pas vdekjes së presidentit Rugova i ka dërguar botës mesazhe të fuqishme paqeje dhe demokracie dhe këtë më së miri e dëshmojnë ndryshimet demokratike në krye të institucioneve të Kosovës.
Deputetët e Kuvendit të Kosovës me votim të hapur dhe me shumicë votash kanë zgjedhur zotëri Agim Çekun kryeministër të Kosovës dhe kabinetin e tij qeveritar.
Përbërja e Qeverisë Çeku:
Lutfi Haziti – zv.kryemistër dhe ministër të pushtetit lokal (zv.ministra: Aziz Lila dhe një vend i rezervuar për LSKM-në);
Sadik Idriz – ministër i shëndetësisë ( zv.ministër Fadil Kryeziu); Haki Shatri – ministër i ekonomisë dhe financave (zv.ministër Behxhet Brajshori);
Agim Veliu – ministër për arsim shkencë dhe teknologji ( zv.ministër Fevzi Berisha); Qemail Ahmeti – ministër i transportit dhe telekomunikacionit ( zv.ministër Blerim Baruti);
Ardian Gjini – ministër i ambientit dhe planifikimit hapësinor (zv.ministër Merxhan Abdyli);
Bujar Dugolli – ministër i tregtisë dhe industrisë ( zv.ministër Kadri Kryeziu);
Ethem Çeku – ministër i energjetikës dhe minierave (zv.ministër Agron Dida);
Ibrahim Selmanaj – ministër i punës dhe mirëqenies sociale ( zv. ministër Lulëzim Leci);
Melihate Termkolli – ministre e shërbimeve publike ( zv.ministër Mark Komoni);
Astrit Haraçia – ministër për kulturë, rini dhe sport ( zv.ministra: Ergin Koroglu dhe Angjelina Krasniqi);
Slavisha Petkoviç – ministër për kthim dhe komunitete ( zv.ministra Ibish Bajrami dhe Nazmi Fejza);
Jonuz Salihaj – ministër për drejtësi ( zv.ministra: Sylë Hoxha dhe një vend i rezervuar për KDTP-në);
Fatmir Rexhepi – ministër i rendit ( zv.ministra: Blerim Kuqi dhe Dejan Jankoviç);
Ministi për bujqësi, pylltari dhe zhvillim rural i është rezervuar LSKM-së ( zv.ministër Tomë Hajdaraj)