Lajmet e fundit

Kryesia e Kuvendit përcakton rendin e ditës për tri seanca plenare

, 14.03.2006




Kryesia e Kuvendit të Kosovës, në mbledhjen e saj të drejtuar nga Kolë Berisha, kryetar i Kuvendit, ka shqyrtuar një varg çështjes të organizimit dhe të funksionalizimit të legjislativit të vendit dhe ka përcaktuar rendin e ditës për tri seancat e ardhshme plenare.

Në seancën e 16 marsit do të shqyrtohen pesë projektligje

Për herë të dytë do të shqyrtohen: Projektligji për për veprimtarinë botuese dhe librin dhe ai për Konfliktet administrative. Për herë të parë, ndërkaq, do të shqyrtohen: Projektligji për efiçencën e energjisë, ai për Sigurinë në komunikacionin rrugor dhe ai për Parandalimin e pastrimit të parave.

Shqyrtohet edhe rekomandimi i anëtarëve të KGJK-së

Në po këtë seancë do të shqyrtohet edhe rekomandimi i Komisionit për Çështje Gjyqësore, Legjislacion dhe Kornizë Kushtetuese për miratimin e kandidatëve për anëtarë të Këshillit Gjyqësor të Kosovës.

Raportohet për bisedimet e Vjenës

Më 24 mars do të raportohet për bisedimet e Vjenës dhe do të debatohet për procesin negociator. Kryesia kështu ka vendosur sipas kërkesës së Grupit Parlamentar të AAK-së dhe të Komisionit për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Integrime Euroatlantike.

Për implementimin e standardeve dhe  privatizimin

Në seancën e fillim prillit do të debatohet për implementimin e standardeve dhe për privatizimin ( sipas kërkesave të Grupit Parlamentar të PDK-së).

Kryeparlamentari Berisha ka kërkuar bashkëpunim të sinqertë nga anëtarët e Kryesisë për mbarëvajtjen e punëve në Kuvend dhe është zotuar se do të përmbush atë që e ka thënë para deputetëve në ditën kur është zgjedhur kryetar i Kuvendit të Kosovës.

Kryesia e Kuvendit përcakton rendin e ditës për tri seanca plenare