Lajmet e fundit
Kryeparlamentari Berisha priti komandantin e TMK-së, gjenerallejtënant Sylejman Selimi
, 15.03.2006
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kolë Berisha, ka shprehur kënaqësinë që e pret komandantin e një forcë e cila pas pavarësisë së vendit do të jetë Ushtri e Kosovës. Ai, Trupat Mbrojtëse të Kosovës i ka vlerësuar ndër institucionet më të respektuara dhe më të rëndësishme të vendit.
Mbështetje e vazhdueshme e institucioneve për TMK-në
Berisha është shprehur i bindur se kjo ushtri do t’i ketë cilësitë për t’ u pranuar në mekanizmat evropianë dhe në NATO, kurse është zotuar se Kuvendi i Kosovës dhe ai personalisht do ta mbështesin në rrugën e ngritjes dhe të profesionalizmit.
TMK-ja do ta vazhdojë rrugën e ngritjes dhe të përparimit të përhershëm
Komandanti i TMK-së, gjenerallejtënant Sylejman Selimi, duke e uruar zotëri Berishën për detyrën me përgjegjësi që ka marrë, e ka garantuar atë se TMK-ja nuk do të ketë vakum institucional dhe se do të vazhdojë rrugën e ngritjes dhe të përparimit të përhershëm, në funksion të sigurisë së vendit, të cilën e kanë trasuar eprorët në krye me gjenerallejtënant Agim Çekun. Ai është shprehur se TMK-ja do të punojë për qytetarët e Kosovës dhe në bashkëpunim të përhershëm me institucionet vendëse dhe ato ndërkombëtare.
Berisha do ta vizitojë udhëheqjen e TMK-së
Kryeparlamentari Berisha u ka deklaruar gazetarëve se do të ketë takime të vazhdueshme me udhëheqjen e TMK-së dhe se shumë shpejt do ta vizitojë atë për ta uruar për gradimin dhe kalimin e gjenerallejtënant Sylejman Selimi në krye të TMK-së.